Pyetja:

Cila është forma e abdesit?

***

Përgjigjja:

Forma e adbesit është dy llojesh:
Forma që është e detyrueshme (të praktikohet) dhe nuk konsiderohet abdesi i saktë vetëm se me praktikimin e kësaj forme. Kjo formë është e përmendur në Kur’an në fjalën e Allahut: “O ju që besuat, kur të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla, fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy nyjet…” (Maide: 6) Kjo formë përfshin larjen e fytyrës vetëm një herë, po ashtu të futurit ujin në gojë dhe hundë, larjen e dy duarve nga fundi i gishtave deri në bërryla vetëm një herë, kurse duhet patur kujdes ai që merr abdes t’i lajë edhe pëllëmbët e duarve gjatë larjes së bërrylave, që ta përfshijë edhe atë pjesë (Ka disa njerëz që nuk i japin rëndësi aq të madhe kësaj, përveç larjes së bërrylave, e kjo është gabim), pastaj fshin kokën vetëm një herë (pjesë e kokës janë edhe veshët) dhe në fund lan këmbët deri në nyje vetëm një herë. Kjo pra është forma që është e detyrueshme të praktikohet në abdes. Ndërsa formën tjetër, e cila është mustehab (e rekomandueshme), do ta përmendim tani me ndihmën e Allahut: Fillon abdesin me bismilah, i lan duart tri herë, lan gojën dhe hundën tri herë, lan fytyrën tri herë, lan duart deri në bërryla tri herë, fillon me të djathtën pastaj në të majtën, fshin kokën vetëm një herë, lag duart e pastaj fshin kokën nga para duke përfshirë edhe kafkën deri në fund, pastaj përsëri kthen duart në fillim të kokës; fshin veshët duke futur dy gishtat tregues në të dy veshët dhe fshin me dy gishtat e mëdhenj shpinën e veshëve, lan këmbët deri në nyje tri herë, fillon me të djathtën pastaj me të majtën. Pasi që të përfundojë abdesin, thotë: Esh’hedu en lailahe il-lallah ve esh’hedu en-ne muhmam-meden abduhu ve resuluhu Allahum-me xh’alnii mint-tev-vabiin ve xh’alnii minel-mtet-tah-hriin. Nëse ai që merr abdes e thotë këtë du’a, atij i hapen tetë dyert e xhenetit; futet nga cila të dojë. Kjo është ajo që është e vërtetë, e cila është transmetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ.

Shejh Ibn Uthejmin, “Fetava Erkanil-Islam”