Pyetja:

Cili është gjykimi i sheriatit në lidhje me gabimet mjekësore të paqëllimshme, duke pasur parasysh se unë (doktori) u përpoqa me të gjitha forcat (mundësitë) e mia dhe asgjë nuk nënvlerësova, mirëpo ishte përcaktimi i Allahut që pacienti (i sëmuri) të vdesë? A jam unë gjynahqar për çka ndodhi? Apo çështja ime është si shembulli i gjykatësit, i cili, pasi që është përpjekur, edhe nëse gabon, shpërblehet?

***

Përgjigjja:

Pikë së pari, i tërheq vërejtjen pyetësit edhe të tjerëve, të cilët e fillojnë pyetjen duke thënë “Cili është gjykimi i sheriatit…?” Përse e bëj këtë? Sepse ai të cilit i është drejtuar pyetja, mund edhe të gabojë, mirëpo, nëse gabon (pasi që është thënë “Cili është gjykimi i sheriatit”), atëherë si rrjedhojë del se sheriati gjykon gabim! E sakta është që të thuhet “Cili është gjykimi i sheriatit, sipas mendimit tuaj?” ose “Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë çështje?” Pra, le të kihet parasysh kjo këshillë.
Tani le të kthehemi tek pyetja “Për sa i përket gabimeve mjekësore të paqëllimta…” Doktori duhet të jetë ekspert në profesionin e tij. Pra, e ka përvetësuar profesionin e mjekësisë si nga ana teorike, ashtu edhe nga ana praktike.
Kushti i parë është që (mjeku) të jetë ekspert në profesionin e tij.
Kushti i dytë është që të mos e tejkalojë vendin e plagës.
P.sh.: nëse përcaktohet se vendi i operacionit është një pjesëz e përcaktuar, mirëpo mjeku e tejkalon atë pa qenë nevoja, mendimi i juristëve islam është se ky lloj veprimi konsiderohet gabim i pavullnetshëm. Nëse si pasojë (i këtij tejkalimi) i sëmuri vdes, jeta e doktorit gjithsesi mbetet e pacenuar (pra nuk ka Kisas), por ai (doktori) duhet të paguajë dëmshpërblim (Ed Dije). Nëse dëmshpërblimin e merr përsipër që ta paguajë shteti, kjo do ishte më mirë. Pra, ka dallim. Nëse gabimi do te ishte në vendin e përcaktuar për operim, atëherë nuk do të kishte dëmshpërblim (për doktorin). Në këtë rast, do të thoshim se ky do të ishte si gabimi i dijetarit apo gjykatësit. Nëse ai (doktori) e tejkalon vendin e përcaktuar, atëherë themi se vet tejkalimi përbën gabim në vetvete. Sidoqoftë, edhe nëse do të sillte si pasojë vdekjen (e të sëmurit), gjykimi është ai që përmendëm, sepse është e paqëllimtë.

Komisioni i Përhershëm për Fetva

Përktheu: Suad Shabani