Pyetja:

A do t’i dënojë Allahu gratë që bëjnë paraqitje të bukurisë së tyre jashtë shtëpisë?

***

Përgjigja:

Imam Ibn Tejmije qe pyetur rreth grave që tubojnë flokët e tyre në majë të kokës dhe atë se ato s’do ta shohin Xhenetin e as s’do ta ndiejnë aromën e tij. Por, është transmetuar në hadith nga i Dërguari i Allahut ﷺ, se: “Kushdo që thotë “La ilahe il-lAlllah”, do të hyjë në Xhenet.”
Ai ishte përgjigjur: Është vërtetuar në librin e dytë më të saktë dhe gjetkë nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ka dy lloj njerëzish të Xhehenemit, të cilët nuk i kam parë: burrat me kamxhikun si bisht gjedhi, me të cilin i rrahin njerëzit, dhe gratë që janë të veshura, por të zhveshura, që ecin me një ecje joshëse, me diçka si gungë deveje në kokat e tyre. Ata s’do të hyjnë në Xhenet e as s’do ta ndiejnë aromën e tij, kurse aroma e tij mund të ndjehet nga kaq e kaq largësi.” [1]
Kushdo që pohon se ky hadith s’është sahih/i vërtetë dhe ajo çfarë përmendet nga dënimet
e ashpra s’është e vërtetë, ai është një injorant i devijuar nga shtegu sheriatik, i cili
meriton një dënim që do ta frenonte atë dhe të tillët si ai që i bëjnë vërejtje haditheve sahih, të cilat janë transmetuar besnikërisht nga i Dërguari i Allahut ﷺ. Ka shumë hadithe të vërteta, që kanë të bëjnë me këtë paralajmërim. Për shembull:
‘Kushdo që vret padrejtësisht një mu’ahed (ai me të cilin autoritetet muslimane kanë bërë
marrëveshje apo pakt), s’do ta nuhasë aromën e Xhenetit, ndonëse aroma e tij mund të
ndihet nga një largësi prej dyzet vitesh’.
‘Nuk do të hyjë në Xhenet askush që në zemrën e vet ka mendjemadhësi sa fara e mustardës’.
‘Tre janë të cilëve Allahu s’do t’u flasë në Ditën e Ringjalljes e as nuk do t’i lavdërojë ata,
dhe për ta do të ketë dënim të dhimbshëm: plaku kurorëshkelës, mbreti që rren dhe i ngrati mendjemadh’.
Ka dhe ajete në Kur’an që flasin rreth këtij paralajmërimi, si ajeti ku Allahu ka thënë:

Kushdo që kundërshton Allahun e të Dërguarin e Tij (Muhamed) dhe shkel kufijtë
e Tij, Ai do ta hedhë në Zjarr, ku do të mbetet përgjithmonë dhe do të ketë një torturë të turpshme.” (Nisa: 14)

Muslimanët kanë rënë dakord se paralajmërimi në Kuran dhe në Sunet ndaj atyre që bëjnë mëkate të mëdha, është i vërtetë, por Allahu ka përmend në Kur’an dhe në Sunet të të Dërguarit të Tij ﷺ se kjo nuk vlen për atë që pendohet, siç ka thënë Ai:
Thuaj: O robërit e Mi që i keni bërë padrejtësi vetes suaj, mos u dëshpëroni nga mëshira e Allahut, se, vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet. Vërtet, Ai fal shumë, është më i mëshirshmi.” (Zumer: 53)

Vërtet, Allahu nuk fal që Atij t’i vihen shokë në adhurim, por, përveç kësaj, Ai fal
kë të dojë.” (Nisa: 48)

Kjo ka të bëjë me atë që nuk pendohet. Shirku nuk do të falet, por, sa i përket çdo gjëje
tjetër veç shirkut, nëse Allahu do, do të falë; nëse do, do të dënojë për të.
Në dy librat e saktë të hadithit është transmetuar se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Asnjë lodhje, rraskapitje, brengë, shqetësim, dhimbje apo dëm nuk e godet besimtarin, madje dhe një therë që e shpon atë, veçse Allahu ia shlyen disa nga mëkatet me anë të kësaj.”
Prej këtu, kur u shpall ajeti: “Kushdo që bën keq, do të paguajë për të.” (Nisa: 123)
Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), tha: ‘O i Dërguar i Allahut ﷺ, kjo do të na shkatërrojë! Kush prej nesh nuk bën keq?!’ Pejgamberi ﷺ u përgjigj: ‘O Ebu Bekr, a nuk lodhesh? A nuk shqetësohesh? A nuk përjeton vështirësi? Kjo është pjesë e pagimit (për mëkatet)’. [2]
Nëpërmjet fatkeqësive në këtë botë, Allahu ua shlyen besimtarëve mëkatet të cilat mund
të shlyhen në këtë mënyrë. E njëjta gjë vlen për veprat e mira që ai bën. Allahu i
lartësuar ka thënë:

Vërtet, punët e mira i fshijnë punët e këqija.” (Hud: 114)

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pesë namazet ditore nga një xhuma në tjetrën dhe nga një ramazan në tjetrin, janë shlyerje për çfarëdo (nga mëkatet e vogla) mes tyre, për sa kohë që personi u shmanget mëkateve të mëdha.” [3]

Allahu nuk u bën aspak padrejtësi robërve të vet, siç ka thënë Ai:
Kushdo që bën mirë sa pesha e një thërrmije, do ta shohë atë; kushdo që bën keq sa pesha e një thërrmije, do ta shohë atë.” (Zelzeleh: 78)
Kështu, paralajmërimi mund të anulohet ose me anë të pendimit, ose me anë të veprave
të mira që personi bën e që janë të barabarta me veprat e këqija, apo me anë të ndonjë
fatkeqësie, nëpërmjet të së cilës Allahu ia shlyen mëkatet, apo me anë të mënyrave tjera.”
[4]
——————–
[1] Muslimi

[2] Buhariu dhe Muslimi

[3] Muslimi

[4] “Mexhmu el-Fetaua” 11/646