Pyetja:

Jam një vajzë 19 vjeçare, e mbuluar dhe që fali namazin. Jetoj në shtëpi me prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes. Gjendjen ekonomike e kemi të dobët dhe mua më është ofruar një punë në një butik duke m’a lejuar mbulesën dhe faljen e namazit, mirëpo puna është që jam në dilemë se nuk po di çka të vendosi pasi jam vajzë.

***

Përgjigjja:

Sido që të jetë gjendja ekonomike në familjen tuaj, barra për mbajtjen e familjes nuk bie mbi supet tuaja për faktin se jeni femër, madje e re (po shpresoj se e keni babën dhe keni vëllezër). Mirëpo, nuk është e ndaluar për ju, që të kujdeseni për familjen tuaj edhe materialisht nëse gjeni mundësi të punës, që ua mundëson respektimin dhe praktikimin e besimit tuaj islam. Andaj, nga përshkrimi që keni bërë në pyetjen tuaj mendoj se është e lejuar të punoni në atë butik. Porse, nëse keni dyshim në qëllimin e punësimit nga ju apo punëdhënësi, se mund të rrezikohet morali i juaj në një formë apo tjetër, atëherë largohuni. I Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Kush ruhet nga gjërat e dyshimta, e ka ruajtur fenë dhe nderin e tij, e kush bie në gjëra të dyshimta, veçse ka rënë në haram.” Pra, mbetet që ju vet ta përcaktoni shkallën e rrezikshmërisë dhe pastaj të gjykoni për vetveten. Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku