Pyetja:

Është transmetuar nga Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), është se ai urdhëroi që teravitë të faleshin 20 rekate. A ka bazë për këtë?

***

Përgjigjja:

Imam et-Tirmidhi tha në Sunen-in e Tij (3/169): “Shumica e dijetarëve janë të mendimit se ajo që u transmetua nga Umer, nga Ali dhe nga sahabë të tjerë të Pejgamberit ﷺ është 20 rekate. Ky është mendimi i eth-Theurit, i Ibn el-Mubarek dhe i Shafiut”. Esh-Shafi tha: “Këtë e mësova në vendin tonë. Në Meke i falin 20 rekate”.
Ibn AbdulBerr tha në el-Istidhkaar (2/69): “20 rekate janë transmetuar nga Ali, nga Shetir ibn Shekl, nga Ibn ebi Mulejkeh el-Harith el-Hamedani dhe nga Ebul-Bekhteri. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve dhe po ky është mendimi i Kufianëve, i Shafive dhe i shumicës së fukahave (juristëve). Kjo qe transmetuar nëpërmjet transmetimeve sahi nga Ubej ibn Ka’b, dhe s’ka pasur dallim mendimesh në mesin e sahabëve. Ata’ tha: ‘U rrita në një kohë kur njerëzit falnin 23 rekate, përfshi këtu dhe witrin'”. (Referoju Musennef ibn ebi Shejbeh 2/163) Ibn Tejmije tha në Mexhmu el-Fetaua (23/112):
“Është dëshmuar se Ubej bin Ka’b udhëhiqte njerëzit në faljen e 23 rekateve në namazin e natës në ramazan dhe ai falte witrin me tri rekate. Shumë nga dijetarët mendojnë se ky është Suneti, sepse ai e bëri këtë mes Muhaxhirëve dhe Ensarëve dhe kurrkush nuk bëri vërejtje. Të tjerë e konsideruan mustehab (të pëlqyeshme) të falen 39 rekate, bazuar në faktin se ky ishte zakon i banorëve të Medines në të kaluarën”. Ibn AbdulBerr tha në el-Istidhkaar (2/68):  “Mund të kuptohet se fillimisht kijami në kohën e Umerit ishte 11 rekate, pastaj ai e shkurtoi kijamin për ta dhe e bëri 21 rekatësh, për t’ua lehtësuar atyre recitimin dhe që ata të bënin më shumë ruku e sexhde. Por, me sa më duket mua, sipas gjase, transmetimi që flet për 11 rekate, është i gabuar. Dhe Allahu e di më së miri”. Ibn Tejmije tha në Mexhmu el-Fetaua (23/113):
“Kur Ubej ibn Ka’b i udhëhoqi në namazin e kijamit në një xhemat të vetëm, ai s’mundi t’ua zgjaste shumë, kështu që e shtoi numrin e rekateve për të kompensuar për kijamin e gjatë. Pra, ata dyfishuan numrin e rekateve. Ai i falte 11 apo 13 rekate kijamu-lejl, pastaj, me sa duket, banorëve të Medines u vinte vështirë të qëndronin gjatë në recitim, kështu që ata e shtuan numrin e rekateve, derisa mbërrit në 39”. Ibn Tejmije tha në Mexhmu el-Fetaua (23/113): “Një grup thanë se është vërtetuar në el-Sahih nga Aisha se pejgamberi nuk falte më shumë se 13 rekate në ramazan apo jashtë tij. Disa nuk ishin të sigurt rreth
këtij transmetimi, sepse mendonin se po kundërshtonte hadithin sahi si dhe për shkak të veprimit të Kalifëve të Drejtë dhe të muslimanëve (që falnin 23 rekate). Pikëpamja e saktë është se krejt kjo është në rregull, siç qe thënë nga Imam Ahmed. S’ka numër të caktuar rekatesh për kijam gjatë ramazanit, sepse pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) nuk caktoi numër për to”. Shejh ibn Baz tha në Mexhmu el-Fetaua (11/322):
“Është vërtetuar se Umeri (radi Allahu anhu) i tha sahabiut (të cilin e caktoi) që t’i falte 11 rekate dhe, po ashtu, është vërtetuar se ata falnin 23 rekate, bazuar në urdhrin e tij (Umerit). Kjo tregon se në këtë veprim ka liri veprimi dhe se kjo çështje, sipas sahabëve, mund të adoptohej (t’u përshtatej rrethanave). Kjo, gjithashtu, tregohet nga fjalët e pejgamberit (salallahu alejhi ue selam): ‘Namazi i natës falet dy nga dy (jep selam pas çdo dy rekateve)'”.