Pyetja:

Cila është më me prioritet për një person: Që ta kryej haxhin me pasurinë që e posedon apo të martohet përmes saj? Sepse këto kohë janë kohëra të fitneve ku njeriu frikësohet për veten e tij.

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut.

Nëse ky person ka nevojë për martesën dhe është e vështirë për të nëse vonohet me martesë, atëherë ai i jep përparësi martesës ndaj haxhit.

Ndërsa nëse nuk ka nevojë për martesën, atëherë i jep përparësi haxhit.

Ibn Kudame (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse ndien nevojë për t’u martuar dhe i frikësohet vështirësisë për veten e tij, atëherë i jep përparësi martesës sepse atë e ka obligim dhe domosdoshmëri dhe kjo i përngjan shpenzimit për veten e tij. E nëse nuk frikësohet, atëherë i jep përparësi haxhit ngase martesa për të është e preferuar prandaj nuk i jepet përparësi para haxhit të cilin e ka obligim.” [1]

Shejh Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) është pyetur: A lejohet ta shtyjë haxhin pas martesës për atë që posedon shpenzimet e haxhit? Dhe kjo për shkak të sprovave me të cilat ballafaqohen sot të rinjtë qofshin ato të vogla apo të mëdha.

Ai u përgjigj:

“Nuk ka dyshim se martesa nga epshi dhe nevoja e madhe për të ka prioritet para haxhit. Ngase njeriu nëse ka nevojë të domosdoshme, atëherë martesa e tij është prej nevojave të jetës së tij. Ajo është sikurse ushqimi dhe pija. Për këtë ai që ka nevojë për martesë por nuk posedon pasuri lejohet t’i jepet prej zekatit aq sa i mjafton për martesë sikurse që i jepet të varfrit prej zekatit për ushqim dhe për t’u veshur në mënyrë që t’i mbulon pjesët e tij të turpshme.

Për këtë themi: Nëse ka nevojë për martesë, atëherë i jep përparësi martesës para haxhit, ngase Allahu i lartësuar e ka kushtëzuar për kryerjen e haxhit mundësinë (El Istita’a) dhe ka thënë:

Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo.” (Ali Imran: 97)

Ndërsa ai që është i ri dhe nuk i intereson të martohet këtë vit apo atë që vjen pas tij, atëherë i jep përparësi haxhit ngase me këtë rast ai nuk ka nevojë për t’i dhënë përparësi martesës.” [2]

Muhamed Salih El-Munexhid

Përktheu: Driton Lekaj

—————————–

[1] “El Mugni”: 5/12. Shiko gjithashtu edhe fjalën e Neveviut në “El Mexhmu” 7/71.

[2]  Fetava Menarul Islam: 2/375.