Pyetja:

Doja t’ju pyesja diçka rreth namazit të istihares. Kam lexuar ne faqen tuaj rreth namazit të istihares, mirëpo diçka nuk kam kuptuar, aty ku thoshte imam Neveviu: “Pas istihares duhet ta bëjmë atë çështje për të cilën na hapet zemra dhe nuk bazohemi në atë që kemi pas dëshirë para se të falnim namazin. Prandaj kërkohet nga ne që ta ndërpresim zgjedhjen dhe të mos mendojmë për të derisa ta falim namazin e nëse nuk e bëjmë kështu, atëherë nuk numërohet se ne i jemi drejtuar Allahut me sinqeritet që të na zgjedhë çështjen që është më e mirë për ne.” A ka mundësi të ma shpjegoni se kam dëshire të fal namaz istihare, por nuk e kam kuptuar mirë?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Qëllimi i Imam Neveviut këtu, është se njeriut zakonisht kur i ofrohet mundësia e zgjedhjes, epshi i tij fillimisht e orienton në zgjedhjen e asaj që është më me interes për të, pa u menduar më thellësisht në çështjen se a është më mirë për të ajo apo tjetra. Pra, ai duhet të mos nxitojë në vendim, por të falë namaz, t’i drejtohet Allahut, të mendojë mirë në çështje, pastaj të vendosë. Si p.sh: nëse i ofrohet mundësia të martohet me një djalë që është i pasur apo i bukur ose e kundërta nëse është djalë, ndjenja e saj apo e tij e tërheqin këto gjëra dhe ai nuk duhet ta lejoj epshin ta udhëheqë në zgjedhje, por të ndalet dhe të fal namaz istihare, t’i drejtohet Allahut, t’i shikojë edhe gjërat e tjera te ky person, që janë më të rëndësishme se ato të parat si devotshmëria etj., pastaj të vendosë.

Alaudin Abazi

Burimi: klubikulturor.com

www.islamifejaevertete.com