Pyetja:
A lejohet që gjatë ramazanit të ngjyrosen flokët, nëse jo pse?
***
Përgjigjja:
Agjërimi i Ramazanit nuk dëmtohet nga ngjyrosja e flokëve, që do të thotë se nuk ka pengesë të ngjyrosen flokët duke agjëruar në Ramazan.
Kjo është për sa i përket agjërimit. Por, ngjyrosja e flokëve duhet të bëhet konform kushteve të tjera që i parasheh Feja. Kështu, nëse është fjala për femrën, ajo nuk mund t’i ngjyrosë flokët e të dalë në rrugë e zbuluar, as edhe t’ua tregojë këtë në shtëpi të vet njerëzve të cilët nuk i ka mahrem. Edhe nëse vepron kështu dhe agjëron, agjërimi nuk i është prishur, por ka bërë mëkat të zbulimit të trupit dhe daljes para njerëzve të cilët nuk i ka mahrem e zbukuruar. Këtë nuk duhet ta bëjë as në Ramazan e as jashtë Ramazanit. Por, është normale se në Ramazan edhe më tepër theksohet për shkak të vlerës së muajit dhe adhurimit të agjërimit.
Poashtu, duhet t’i ikë ngjyrës së zezë, ashtu si ka thënë edhe i Dërguari i Allahut ﷺ për babain e Ebu Bekrit r.a. i cili ishte thinjur: ”Përdorni ngjyrë për të, por largojuni të zezës”. Është e vërtetë se disa dijetarë kanë dhënë shpjegime tjera për këtë ndalesë, gjegjësisht ngjyrën e zezë nuk e ndalojnë për çdo kë, por, nëse me këtë është për qëllim ndonjë mashtrim, duke u treguar më i ri në moshë, ose duke e mbuluar një të metë. Megjithatë, do të ishte më mirë sikur të ngelim në ndalesën e përmendur.
Allahu e di më së miri.
Dr. Bashkim Aliu