Pyetja:

Shqetësimi im është prej ëndrrave. Çfarëdo lloj ëndrre që e shoh, mendtë më rrinë aty. Shpesh ndodh ta shoh gjyshin e vdekur, më del gjumi dhe më kap paniku, dridhje, nxehtësi, më vjen ndjenja e të vjellit, mendime të këqija në kokë. A thua pse kështu? A mos ndoshta po vdes, se s’po mund të bëhem rehat nga mendimet e këqija? A kanë domethënie këto ëndrra me të vdekur, apo janë lojëra nga djalli? Nëse dëgjoj për ndonjë rast vdekjeje, më kap paniku se do të më ndodhë edhe mua! Si ta largoj këtë gjendje? Kam filluar të fal namaz, edhe namaz nate, edhe po lexoj Kuran. Shumë pyetje më vijnë në mendje – a mos janë shenjë që po vdes? Ju lutem më këshilloni. Nga frika se do të më jap dikush ndonjë interpretim të keq, kam heshtur, por sot kam marrë guximin t’ju shkruaj. Jam mbyllur, s’po mund të flas me askënd. Vetëm burri im e di gjendjen e më largon nganjëherë nga mendimet, por vetëm në çast bëhem mirë e pastaj humb përsëri në mendime. Pres këshilla, ju lutem.

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Profeti i mëshirës, Muhamedi ﷺ, ka thënë: “Ëndrrat janë tri llojesh:

1. Ëndrra të mira, që janë sihariqe nga Allahu,

2. Ëndrra dëshpëruese, që janë nga shejtani, dhe

3. Ëndrra që kanë të bëjnë me preokupimet e njeriut.

Andaj, kush sheh në ëndërr diçka që e urren, le të ngrihet për t’u falur dhe të mos ia tregojë askujt.” [1]

Njeriu në këtë botë është krijuar për t’u sprovuar. Allahu i Gjithëmëshirshëm dhe i Urtë ka thënë në Librin e Tij: “Ne ju vëmë në sprovë me të keqen dhe me të mirën dhe te Ne do të ktheheni.”(Enbija: 35).Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo muslimani, të cilin e godet një shqetësim, gjemb a diç më shumë, Allahu ia fshin mëkatet ashtu siç i shkund pema gjethet e saj.” [2]

Të ndjehesh keq pas një ëndrre që ke parë është diçka krejt e zakonshme. Zaten, kjo ishte diçka që u ndodhte edhe atyre më të afërmve me Pejgamberin ﷺ. Tregohet për dy nga shokët më të dalluar të Pejgamberit ﷺ se vuanin nga ëndrrat e këqija. Kështu, njëri prej tyre – Ebu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) – njëherë u ankua te Pejgamberi ﷺ, siç tregon ai vetë: “Më ka ndodhur të shoh ëndërr që më bënte të sëmurem, derisa e takova Ebu Kataden (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili më tha: Edhe mua më ka ndodhur të shoh ëndërr që më bënte të sëmurem, derisa e pata dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Ëndrrat e mira janë prej Allahut. Kur dikush prej jush sheh në ëndërr diçka që e pëlqen, le t’ua tregojë atë vetëm atyre që i do, e, kur të shohë gjëra të tjera që i urren, le të pështyjë tri herë lehtë nga ana e majtë dhe le t’i kërkojë mbrojtje Allahut kundrejt sherrit të shejtanit dhe sherrit të saj, dhe të mos ia tregojë askujt. Pas kësaj ajo s’do t’i bëjë dëm!” [3]

Motër e nderuar! Ajo që të ndodh ty s’është tjetër vetëm se një periudhë kalimtare e cila shpejt do të kalojë me lejen e Allahut të Lartësuar. Kështu si ti sprovohen shumë njerëz, mos të themi se ndoshta çdo i treti ose i katërti person ka kaluar nëpër një periudhë të tillë gjatë jetës së tij, duke hasur në shqetësime të kësaj natyre, kush më pak e kush më shumë, duke mos përjashtuar këtu as njerëzit e dijshëm e të dalluar me pozitën e tyre në shoqëri, por të cilët “nuk e kanë bërë të madhe” këtë çështje. Kur jemi te dridhjet, paniku, nxehtësia e trupit, këto janë reagime krejt normale të cilat vijnë si pasojë e përshtypjes se po të kanoset ndonjë rrezik, gjë e cila është një përshtypje krejtësisht e gabuar. Andaj, kujdes! Më e keqja nga ana jote do të ishte që të zhytesh në mendime se pse po më ndodh kështu?, çfarë po ngjet me mua?, si do t’ia dal tash që ta largojë këtë ndjenjë që më kaploi?, etj. Gabim. E vetmja zgjidhje për ty në këto raste është shmangia jote totale nga këto mendime duke i konsideruar ata armikun tënd. Lufto me këto mendime që të vijnë dhe, me zor, detyroje veten që të mendosh gjëra të tjera. Këtu, dhe mu këtu, është momenti i luftës së fortë nga ana jote me vetveten që të mos lejosh të të kaplojnë këto mendime. Kam për qëllim, jo të presësh që diçka të ndodh për të kaluar kjo gjendje, por bën përpjekje me zor që të mendosh gjëra të tjera, të kujtosh diçka të mirë, të çohesh e të lëvizësh duke kryer ndonjë punë kuzhine, të fillosh të lexosh Kuran, … me një fjalë, t’i tradhtosh mendimet e tua të këqija, t’ua kthesh shpinën, të ikësh nga to, e assesi të angazhohesh me to.

Motër e nderuar! Në mënyrë që kjo gjë me të cilën je sprovuar të kalojë sa më shpejt dhe sa më lehtë, të duhen vetëm këto tri gjëra:

1. Të mbështetesh plotësisht në Zotin e Madhërishëm dhe të jesh e bindur se: “Nuk do të na godasë tjetër, pos asaj që na caktuar Allahu, Ai është Zoti ynë dhe vetëm te Allahu le të mbështeten besimtarët!” (Teube, 51) Kurse Pejgamberi ﷺ njëherë, duke e këshilluar Ibn Abasin, gjersa ishte djalosh i vogël, i tha: “Dije se ajo që nuk të ka goditur, nuk do të mund të të godiste dhe se ajo që të ka goditur, nuk do të mund të të mos godiste. Po ashtu, ta dish se fitorja vjen me durim, shpëtimi vjen me mundim kurse pas vështirësisë vjen lehtësimi.”

Motër e nderuar! Sigurisht që ajetin në fjalë dhe hadithin që i përmenda i ke dëgjuar edhe më herët, por rrethanat në të cilat ndodhesh momentalisht, ndoshta të bëjnë të mendosh se: “Në rregull, por ja që ndoshta unë do të vdes dhe ky është caktimi im!?,” apo gjithfarë cytjesh të tilla që të shfaqen në çdo moment në lidhje me caktimin e Allahut, e për të cilat të garantoj se janë vetëm dhe vetëm cytje, mendime shqetësuese, të cilat aspak s’kanë të bëjnë me realitetin. Do të t’i bëj ca pyetje:

Vallë mund ta detyrosh ti Zotin që të ta marr shpirtin?

Assesi, Allahu i Lartësuar ka vendosur sekondën se kur do të vdes secili njeri. Andaj, orvatjet e tua dhe preokupimi yt se a thua do të vdes janë plotësisht të pabaza, ngase t’i s’mund ta ngutësh vdekjen, ajo vjen vetëm në atë sekondën e caktuar. E, ti nuk e di të fshehtën, pa marrë parasysh çfarë iluzionesh mund të të paraqiten për vdekjen. Pra, thjesht, asgjë s’është në dorën tënde.

– Vallë mendon se Allahu të ka harruar, apo është duke të dënuar? Assesi! E si ka mundësi të jetë kështu kur Ai e ka quajtur veten I Gjithëmëshirshmi, I Buti, Mëshiruesi, e i Cili ka thënë: “O robërit e Mi të cilët e keni tepruar me mëkate, mos e humbni shpresën nga Mëshira e Allahut! Vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” (Zumer:53)

Pastaj, rezultat i kësaj me të cilën je sprovuar, siç e ceke në pyetjen e shtruar, është se ti ke filluar të jesh e rregullt në namaz, të falesh natën e të lexosh Kuran. Lum për ty! Të përgëzoj se s’mund të ndodh ndryshe vetëm se ti do të shërohesh plotësisht dhe kjo sprovë do të të forcojë në fenë tënde dhe do të të bëj më të përgatitur për jetën tënde. Allahu ka thënë: “Ka mundësi që ju urreni një gjë, por ajo është e mirë për ju.” (dhe anasjelltas). Andaj, sërish, myzhde!

– “Vallë, çfarë mendimi keni për Zotin e gjithësisë?” (Safat, 87) Mos të ka shkuar mendja se Allahu nuk do të të shërojë, apo nuk do t’i pranojë lutjet tua?! Pejgamberi ﷺ, duke përcjellë Fjalët e Zotit, tregon se Allahu thotë: “Unë jam në mendimin e robit për Mua. Ndaj, le të mendojë çfarë të dojë!” E, po ashtu, Pejgamberi ynë i dashur ﷺ gjithmonë ka nxitur që të kemi mendim të mirë për Zotin dhe të shpresojmë më të mirën nga ai, dhe këtë ta bëjmë me ngulm.

– A e ke lutur Allahun që të ta largojë këtë gjendje në të cilën ndodhesh? S’kam dyshim se po. Atëherë përse ky shqetësim?! A dyshon se Allahu do të përgjigjet?! … Nuk ka njeri i cili i lutet me sinqeritet Allahut për t’ia larguar një sprovë veçse ajo punë është e kryer. Allahu nuk i përgjigjet atij që, posa ta mbaroj lutjen thotë: U luta dhe Zoti nuk m’u përgjigj. Jo, kështu s’bën, kur robi e lut Krijuesin e tij, Shëruesin, të Gjithëmëshirshmin, pret. Si ndodh që dikush është në gjendje të pres efektin e ilaçeve me javë të tëra, e madje me muaj e vite, ndërsa kur kemi të bëjmë me përgjigjen e lutjes nga Allahu, s’është në gjendje të pres as me orë!? Prandaj, mos guxo të humbësh durimin në pranimin e lutjeve që ia ke bërë Allahut! E, për dobi, bëje këtë lutje profetike: “Allahumme, edh’hib el-bes, rabben-nas, ishfini ve ente esh-Shafi, la shifae ila shifauk, shifaen la jugadiru sekamen!” (O Allah! Largoje të keqen, Zoti njerëzve, më shëro se Ti je Shëruesi, s’ka shërim pos shërimit Tënd, (shëromë) me një shërim që s’lë gjurmë të sëmundjes mbrapa!) Të jesh e bindur në përgjigje!

2. Nga ky moment e tutje, të mos shqetësohesh më për ëndrrat që do të shohësh. Ëndrrat të cilat ti i sheh, nuk janë tjetër përveçse ëndrra të zakonshme, edhe nëse të kujtojnë diçka të keqe apo në vetvete janë pamje të këqija. E çfarë dëmi mund të të shkaktojnë ëndrrat kur ato s’janë tjetër vetëm se iluzione pamore përkitazi me gjendjen në të cilën ndodhet njeriu ose janë cytje nga shejtani i mallkuar i cili gëzohet shumë kur sheh besimtarin që dëshpërohet e pikëllohet, zaten ky është qëllimi i tij. Allahu ka thënë: “Mos tregoni ligësi dhe mos u pikëlloni! Se ju gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (Ali Imran, 139) Pra, përderisa njeriu e ka besuar Allahun dhe Pejgamberin e Tij ﷺ, s’ka asnjë vend për shqetësim e as brengë.

E nëse pas ëndrrave dikush mund të shqetësohet se ndoshta kjo ëndërr aludon në vdekjen time, ngase pashë gjyshin e vdekur, gjyshen, filanin e fistekun, të cilët kanë kaluar në botën tjetër! Ç’është e vërteta, asnjë shpjegim i ëndrrave nuk thotë se të shohësh dikë të vdekur në ëndërr nënkupton vdekje, assesi, zakonisht shpjegimet e këtyre ëndrrave lidhen me gjendjen e atyre personave që kanë vdekur (gjithmonë nëse nuk janë cytje shejtanësh që kanë për qëllim shqetësimin e besimtarit). Pastaj, ëndrrat janë aq të rëndomta e aq të pakontrollueshme dhe jashtë vullnetit të njeriut saqë, herë të dërgojnë në fëmijërinë tënde, herë të shfaqin gjërat për të cilat je përmalluar (e këtu hyjnë edhe të vdekurit), herë të çojnë andej e këtej nëpër ambiente që s’i sheh dot në botën reale, … gjë që të jep të kuptosh se assesi nuk bën të preokupohemi me to. Thjesht, përmende Allahun dhe ndërroje krahun duke thënë “Eudhu bilahi minesh-shejtani rraxhim,” (Kërkoj nga Allahu të më mbrojë nga shejtani i mallkuar!) e pastaj duke bërë dhikër të çfarëdo lloji apo duke u ngritur për namaz, siç na këshilloi Pejgamberi ﷺ në hadithin që e cekëm më lart.

Zaten, të largohesh menjëherë nga preokupimi me ëndrrat është këshilla e parë që një psikolog ia jep të shqetësuarit nga ankthet, makthet dhe ëndrrat.

3. Të angazhohesh me gjëra të dobishme rreth familjes, të ndjehesh e lumtur me të mirat që t’i ka dhënë Allahu, të mos lësh hapësirë të lirë në kohën tënde për të menduar gjëra të këqija, të dalësh në ambiente të qeta dhe të bësh ndonjë ecje, të lexosh ndonjë libër duke mos e tepruar në qëndrimin e gjatë në të (i mirë është libri “Mos u trishto” i Ai del Karnit, që mund ta gjesh pothuajse në çdo librari Islame), të vizitosh ndonjë të afërm, të shikosh ndonjë ligjërate Islame, etj.

Kur jemi te vizita e të afërmve, njëri nga dijetarët e mëdhenj të botës arabe, Halid el Hibshi (Allahu e ruajttë!) thotë: “Shërimi i depresionit (pos të tjerash) ndodhet në mbajtjen e lidhjeve farefisnore.” Mbajtja e lidhjeve farefisnore, përveç që ndikon dukshëm në përmirësimin e gjendjes shpirtërore, ajo ndikon edhe në shtimin e furnizimit dhe zgjatjen e jetës, siç ka thënë vetë Pejgamberi ﷺ.

Dhe, për fund, kapu për atë që, nëse kapesh fort për të, s’do të humbësh as në dynja, as në Botën Tjetër: Kuranin. Lexo Kuran, medito rreth ajeteve të tij, dëgjo Kuran nga lexuesit e njohur në internet e gjetiu, merru me të, aty është i tërë shërimi në përgjithësi, e shërimi i shqetësimeve shpirtërore në veçanti. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne, shpallim nga Kurani atë që është ilaç dhe mëshirë për besimtarët, e mohuesve – ai vetëm ua shton humbjen.” (Isra, 82)

Përgatiti: Hekuran Helshani

——————–

[1] Muslimi, 2263

[2] Buhariu, 5648

[3] Muslimi, 5903