Pyetja:
A mund të na përmendni disa nga rregullat bazë, që duhet të ketë parasysh prindi musliman lidhur me edukimin e shëndoshë të fëmijës së tij në periudhën 2-3 vjeçare?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Disa nga rregullat bazë të theksuara nga specialistët e fushës, që duhet të ketë parasysh prindi musliman lidhur me edukimin e shëndoshë të fëmijës së tij në periudhën 2-3 vjeçare, janë:
Së pari: Mosha 2 vjeçare:
1. Sigurimi i ambienteve të gjera, të sigurta dhe të lira nga pengesat, që fëmija të përmirësojë ekuilibrin e tij në të ecur dhe të harmonizojë lëvizjet dhe aftësitë e tij përmes përdorimit të lodrave, kundrejt të cilave ai ka prirje të veçantë në këtë periudhë të jetës së tij, lodra të cilat rekomandohet të jenë të natyrës që tërhiqen, shtyhen ose montohen lehtësisht mbi njëra-tjetrën, ku preferohet pjesëmarrja e prindit;
2. Sigurimi për fëmijën i lapsave të pështatshëm që ai të zhgarravisë në letra apo tabela të posaçme dhe po kështu sigurimi i printimeve tërheqëse, me të cilat fëmija të lihet të luaj i shkujdesur; e tillë gjë mbjell tek ai lidhjen e hershme me shkrimin, studimin dhe librin; rekomandohet që prindi të marr pjesë me fëmijën në pamjen dhe shfletimin e fotove të bukura të pështatshme, sepse kjo i zhvillon atij aftësitë imagjinuese dhe menduese;
3. Zhvillimi i aftësive folëse të fëmijës, që realizohet në rend të parë nga prindi, duke i folur fëmijës në çdo rast të mundshëm me të folurin e saktë të të rriturve, pa i deformuar fjalët, si dhe duke i drejtuar atij pyetje dhe bërë kujdes në dëgjimin e tij në dy plane: (së pari) dëgjimi i vëmendshëm i fëmijës pa i korrigjuar gabimet e tij gjuhësore dhe (së dyti) përsëritja e shpjeguar e fjalëve të tij, derisa fëmija të bindet se prindi e ke kuptuar; një gjë e tillë i sjell shumë kënaqësi fëmijës dhe përbën për të një dhuratë të çmuar që e zhvillon fuqishëm trashëgiminë dhe aftësinë e tij të të folurit;
4. Nga veçoritë kryesore të kësaj moshe është përmirësimi i komunikimit të fëmijës me të tjerët dhe qetësimi i tij, për shkak të shtimit të aftësisë së tij për t’u shprehur dhe kuptuar, që i zvogëlon prapësitë e mëparshme të fëmijës.
Së dyti: Mosha 2.5 vjeçare:
1. Kjo quhet mosha e “jo-së”, një periudhë krejtësisht e re e fëmijës, ku pritet një ndryshim shumë i madh i sjelljeve dhe që kërkon prej prindit që ta kuptojë dhe durojë fëmijën, pasi ai bëhet shumë i padurueshëm dhe këmbëngul të bëj atë që do, si e kur do ai vetë, si dhe në të fëmija do që të jetë krejtësisht i pavarur e nuk pranon të ndihmohet prej askujt, madje edhe kur është i nevojshëm për këtë;
2. Në këtë moshë irritimet emocionale të fëmijës shpien deri në humbje të ekuilibrit të tij personal dhe të sjelljes, si dhe mbërthimin pas traditave të mëparshme të veshjes, të ngrënit etj.; për korrigjimin e kësaj prindi këshillohet që t’i tregojë fëmijës histori edukative apo të ilustruara për çdo rast që synon t’i sendërtojë (themelojë) një sjellje, si p.sh. në rastet kur fëmija kundërshton të vesh rrobat e reja, të hajë një ushqim të ri etj., ose këshillohet që prindi t’i këndojë fëmijës këngë edukative apo t’i mësojë atij të veprojë me lodrat atë që prindi synon të bëjë me të etj.
3. Sjellja e frytshme e prindit me “jo-në” e fëmijës, mund të bëhet në një sërë formash, si: (a) të mos i bëj atij pyetje të cilave mund t’u përgjigjet me “jo”, si p.sh. t’i thotë: “A do pish dy gota qumësht apo një… A do flesh gjum tani apo pastaj”,- dhe ngjashëm; (b) të përdor me fëmijën urdhrat praktikë të cilat nuk i lënë vend fëmijës të përgjigjet me fjalën “jo”, p.sh. ta marr për dore dhe t’i thotë: “Tani po shkojmë të hamë”,- dhe (c) të rriturit ta përdorin sa më pak fjalën “jo” në prani të fëmijës dhe në sjelljet e tyre me të, p.sh. kur fëmija të bëjë diçka gabim, mos t’i thuhet “jo”, por t’i thuhet “prit” apo ngjashëm;
4. Një sfidë e madhe për prindin në këtë moshë të fëmijës, është ushtrimi i tij që të shkojë në banjo (të vendoset në uturak) dhe të heqë pampersin, të cilin shumica e fëmijëve e fillojnë në këtë moshë (edhe pse disa e fillojnë që dy vjeç), ku ky ushtrim në varësi, të fëmijës, zgjat nga disa javë në disa muaj (maksimumi shkon gjashtë muaj) dhe suksesi lidhet ngushtë me diktimin e saktë të kohës së nevojës bilogjike të fëmijës; në këtë ushtrim rekomandohen sa vijon: vendosja në uturak në kohë të fiksuara ditore (si p.sh. kur fëmija zgjohet, ose pas vakteve kryesore dhe atyre të lehta të ngrënies etj.), ulja në uturak e fëmijës kundërshtues fillimisht me rroba dhe pampers të veshur, pastaj lënia e tij me rroba dhe pa pampers apo pa rroba të brendshme (mbathje) me qëllim që çështja të bëhet më e lehtë, vendosja e uturakut në anë të krevatit të fëmijës dhe kështu me radhë të vijohet hap pas hapi drejt suksesit përfundimtar në këtë çështje, ku ndër të tjera mund të përdoren ide të vogla ndihmuese si: vendosja në uturak e ngjitëseve të preferuara të fëmijës pas çdo here që ai e përdor atë në rregull, ushtrimi i fëmijës që të mësoj lodrat e tij sesi ta përdorin uturakun hap pas hapi etj.
Alaudin Abazi