Pyetja:

Ne kemi thirrur gjithmonë familjarët tanë në iftar tash e sa vite, mirëpo ata asnjëherë nuk na kanë thirrur neve. A e kemi borxh t’i thërrasim përsëri?

***

Përgjigjja:

Po, e keni borxh. Kur themi se e keni borxh, me këtë nuk duhet kuptuar se e keni farz (obligim) patjetër shembull se nuk do të iu pranohet Ramazani apo ngjashëm. Në këtë rast e kemi fjalën se është diçka e preferuar, pra nuk është farz.

Mirëpo borxh e themi në kuptimin se është edukatë, moral dhe shkak i mbajtjes së lidhjeve farefisnore. Si mbahen lidhjet farefisnore nëse ju largoheni dhe ata largohen, ju tërhiqeni dhe ata tërhiqen? Jo, përkundrazi kështu shkatërrohen dhe prishen. Lidhja farefisnore mbahet duke u afruar dy palët.

Pastaj ne si muslimanë, dhe këtu kemi probleme ne shqiptarët sepse shpesh i bëjmë gjërat sa për sy e faqe, sa për t’i parë tjetri këtë e vërej vazhdimisht dhe mua personalisht më mërzit tej mase. Shpeshherë i bëjmë punët e mira por presim se edhe tjetri të bëj të njëjtën për ne, e ku mbetet pastaj puna për hir të Allahut?

Shembull si në këtë rast, unë të thërras ty në iftar por pres edhe ti të më thërrasësh mua sepse nëse nuk më fton unë do të hidhërohem. Dhe nuk duhet të jetë kështu ngase veprave për hir të Allahut nuk ia shikojmë rezultatin, mund të ndodhë se lëre se nuk të ftojnë në iftar por do ta përqeshin edhe ushqimin, por ju prapë nuk duhet të jeni pishman.

Allahu thotë në Kuran: “Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të Allahut dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim.” (Insan, 9)

Nuk kemi nevojë as për falenderime kur e bëjmë veprën për hir të Allahut, nëse luten Allahu i nderoftë por edhe nëse nuk luten prapë iu bëftë mirë ushqimi. Ngase Allahu na ka urdhëruar të ushqejmë robërit e Zotit dhe Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ka përgatitur pallate të cilat vrehen nga jashtë se çfarë ka mbrenda dhe nga brenda se çfarë ka jashtë.” E pyetën sahabët se për kë i ka përgatitur Allahu këto pallate dhe ai ﷺ tha: “Për atë që i ushqen njerëzit, ata që agjërojnë, falen natën dhe ata që e shpërndajnë selamin.”

Këtë parim e kanë pasur të parët tanë, ndërsa ne sot nuk e kemi. Shumica ditëve të sotme i fajsojnë gratë ndonëse edhe ato kanë një pjesë të fajit mirëpo fajin kryesor e kanë burrat. Kohë më parë sofrat e tona kanë qenë të shtruara dhe dyert e odave të hapura dhe çdo musafir ka qenë mëse i mirëpritur për hir të Zotit.

Tani pa mos e zgjatur, nëse një të afërm e fton në iftar çdo vit dhe ai nuk ju fton juve, çka ju dëmton kjo juve? Nëse doni më shumë shpërblim pikërisht kështu do të keni. Sepse kur ju i bëni dikujt mirë dhe ai poashtu e kjo është në vazhdimësi atëherë kjo është kthim i të mirës.

Prandaj Pejgamberi ﷺ kur është pyetur: “Si mbahet lidhja farefisnore? Atëherë kur të viziton edhe ti ta vizitosh?” Ai ﷺ tha: “Ruajtja e lidhjes farefisnore është kur nuk të viziton, ti ta vizitosh.”

Pra kur nuk të fton, ta ftosh dhe të tregosh vlerë, burrëri, parime se je musliman dhe se e do Allahun dhe do t’u shtrosh njerëzve ushqim, qoftë hallë apo dajë apo ndonjë i afërm.

Dr. Shefqet Krasniqi