Pyetja:

A lejohet t’i prekim librat e komentimit të Kuranit pa gusël a pa abdes? E kam fjalën në rend të parë për librin “Kurani i madhërishëm, kuptimet e tij në gjuhën shqipe”, i cili ka brenda të gjithë tekstin origjinal në arabisht të Kuranit.

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Bazuar në mendimin e dijetarëve muslimanë, nuk lejohet që të përdoret termi “Kurani shqip”, me kuptimin e përkthimit të fjalëpërfjalshëm në gjuhën shqipe (apo gjuhë tjetër) të tekstit origjinal në arabisht të Kuranit; pasi e tillë gjë përbën tjetërsim / falsifikim të Kuranit – Allahu na ruajtë! Në fakt në këtë rast duhet thënë “Përkthimi në gjuhën shqipe i kuptimeve të Kuranit”, që është një çështje jo vetëm e lejueshme por edhe detyrë sheriatike (ligjore islame), sepse Kurani zbriti për gjithë njerëzimin dhe përkthimi i kuptimeve të tij u mundëson njerëzve të depërtojnë tek Kurani dhe ta kuptojnë atë.

Prekja e librave të komentimit të Kuranit pa gusël a pa abdes është e lejuar. Komentimet e Kuranit në arabisht apo gjuhët e tjera, nuk konsiderohen Kuran, prandaj s’ka problem të preken / lexohen në gjendjen e papastërtisë rituale.

Në lidhje me faktin se çfarë nënkuptohet me prekjen e komentimit të Kuranit në gjendjen e papastërtisë rituale, dijetari i shquar Ibn Bazi thotë: “Lejohet prekja e librave të komentimit të Kuranit pa izolues dhe pa tahara (pa pastrimin ritual të trupit… Parimisht, në pikëmapjen sheriatike (ligjore islame) kur thuhet fjala “tahara (pastrim ritual)”, me të nënkuptohet pastrimi nga gjendja e vogël dhe ajo e madhe e papastërtisë rituale [pra nënkuptohen abdesi dhe gusli]…”

Po në këtë kontekst ai thotë: “Dispozitën e Kuranit e ka vetëm libri me tekstin origjinal në arabisht i Kuranit, krahas të cilit nuk ka asnjë komentim [ose përkthim të komentimeve / kuptimeve të Kuranit], ndërsa nëse krahas tekstit origjinal në arabisht të Kuranit ka përkthim [të kuptimeve të Kuranit në një gjuhë tjetër apo komentim të tij në gjuhën arabe], ky libër merr dispozitën e librit të komentimit të Kuranit, pra lejohet të mbahet (preket) nga personat ritualisht të papastër (pa gusël / pa abdes), musliman apo jobesimtar (jomusliman).”

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi