Pyetja: Ndër pyetjet që na kanë ardhur gjithashtu (është kjo). Pyetësi thotë: A arsyetohet me injorancë ai që bie në shirkun e madh, duke qenë injorant (i paditur), dhe gjatë gjithë jetës së tij e vepron atë dhe vdes në këtë gjendje? Cilat janë kriteret e arsyetimit me injorancë?

Përgjigjja: Nëse ai jeton i shkëputur nga muslimanët, nuk e dëgjon Kuranin, nuk dëgjon asgjë për Islamin dhe as për shirkun, atëherë ky është gjykimi për të deri sa të vdesë: gjykimi për të është si gjykimi për njerëzit e fetras (أصحاب الفترة), të cilëve nuk u ka arritur Kurani dhe nuk u ka arritur thirrja e të Dërguarit ﷺ. Pra, ai konsiderohet prej njerëzve të fetras.

Dijetarët kanë pasur mospajtime rreth gjykimit të tyre. Mendimi më i afërt, e Allahu e di më së miri, është se atyre do t’u dërgohet një pejgamber Ditën e Kiametit. Kush i bindet atij, do të hyjë në Xhenet, ndërsa kush e kundërshton, do të hyjë në Zjarr.

Ndërsa gjykimi i tyre në këtë botë, nëse vdesin në kufër dhe shirk, është se i trajtojmë si jobesimtarë dhe idhujtarë. Ky është gjykimi i tyre në këtë botë. Kurse gjykimi i tyre në botën tjetër i takon Allahut të Lartësuar.

Ndërsa ai që jeton me muslimanët, e dëgjon Kuranin, dëgjon hadithet, dëgjon ligjëratat dhe mësimet (nuk arsyetohet as në këtë botë e as në botën tjetër. Shënim i përkthyesit).

Kur u shfaqën radiot, radiot (ku dëgjohet) Kurani Famëlartë, ai filloi t’i dëgjojë këto gjëra. Kështu, argumenti është ngritur kundër tij dhe ai nuk arsyetohet me injorancë, sepse Allahu i Lartësuar i tha të Dërguarit ﷺ (të thotë): “Ky Kuran më është shpallur, në mënyrë që nëpërmjet tij t’ju tërheq vërejtjen juve dhe kujtdo që i përcillet.” (El Enam, 19) Domethënë, atij tek i cili ka arritur Kurani dhe që e kupton gjuhën arabe me të cilën është shpallur Kurani, i është ngritur argumenti dhe nuk ka arsyetim për të. Ai nuk konsiderohet injorant, sepse Kurani është në gjuhën arabe, e ndalon shirkun, e ndalon kufrin, i kërcënon idhujtarët me qëndrim të përhershëm në Zjarr dhe tregon se Allahu nuk do t’ua falë atyre.

Atëherë, si mund të mos e njohë shirkun, të pyesë për të dhe të kërkojë të mësojë rreth këtij rreziku të madh?! Ai është neglizhenti. Prandaj, nuk arsyetohet me injorancë në çështjet e qarta. Ndërsa çështjet e fshehta, të cilat i dinë vetëm dijetarët, nëse ai bie në ndonjërën prej tyre, arsyetohet me injorancë derisa t’i pyesë dijetarët.

Shejh Salih el Feuzani
Përktheu: Hoxhë Burim Koçina
j

Ashbaul fetrah (أصحاب الفترة), njerëzit e fetras, janë ata që kanë jetuar në një periudhë që nuk kanë pasur Profet që t’ua përcjellë shpalljen hyjnore, e po ashtu të tillë konsiderohen ata që nuk u arrin thirrja islame; kështu që, nëse të tillët i bëjnë shirk Allahut, janë idhujtarë sa u përket emërtimit dhe dispozitave të kësaj bote, ndërsa në botën tjetër Allahu i sprovon: nëse binden, hyjnë në Xhenet, e nëse jo, hyjnë në Zjarr. Shënim i përkthyesit.

https://t.me/hoxheburimkocinaj