Pyetja:
Jam e martuar dhe nuk kam fëmijë, a më lejohet të adoptoj një fëmijë që nuk ka asnjërin prind?
***
Përgjigja:
Nëse mendoni me adoptimin e fëmijës që nuk ka asnjërin prind që ta birësoni dhe ta konsideroni këtë fëmijë sikur të ishit ju prind i tij, duke ia ndërruar emrin e familjes dhe prejardhjen e tij, sikurse është duke u vepruar në shumicën e rasteve, atëherë në Islam kjo formë birësimi është e ndaluar dhe haram me ajet kur’anor, ku Allahu xh.sh. thotë:
“…(Allahu) as nuk ua bëri djemtë tuaj të adoptuarit tuaj (fëmijët e tjetërkujt që i adoptoni si të juaj). Këto janë vetëm thënie tuaja që i shqiptoni me gojët tuaja e Allahu e thotë atë që është realitet dhe Ai udhëzon në rrugën e drejtë. Ju thirrni (mbështetni) ata në etërit e vërtetë të tyre, kjo është më e drejtë tek Allahu, e nëse nuk ua dini (nuk dini se kush janë) etërit e tyre, atëherë ata janë vëllezërit tuaj dhe të afërmit tuaj në fé. Nuk është ndonjë mëkat i juaji ajo për çka keni gabuar, por (është mëkat) ajo që zemrat tuaja e bëjnë qëllimisht, po Allahu është që fal, është mëshirues.” (Ahzab: 4-5)
Adoptimi në këtë formë përmban në vetvete shumë shkelje dhe të pavërteta, ngase i tërë procesi është i bazuar në falsifikime dhe mashtrime duke filluar prej fillimit të jetës së këtij fëmije e deri në fund të jetës së tij. Ai rritet, zhvillohet dhe edukohet duke e fshehur të vërtetën prej tij. Dëmi bëhet edhe më i madh kur ky fëmijë rritet dhe në shumicën e rasteve të vërtetën rreth prejardhjes së tij e mëson prej shokëve në rrugë dhe si pasojë kjo ndikon që i adoptuari ta humbë besimin te të gjithë ata që janë rreth tij dhe të fillojë të dyshojë në çdo gjë.
Me këtë adoptim u bëhet padrejtësi trashëgimtarëve të ligjshëm ngase në rastin e ndarjes së trashëgimisë atij i jepet ajo pasuri që nuk i takon në të vërtetë. Me aktin e adoptimit ky fëmijë përzihet me anëtarët e familjes, të cilët për të janë të huaj, prandaj edhe këtu bëhen shkelje të tjera të rënda që kanë pasoja shumë të dëmshme.
Përveç të tjerash, adoptimi në këtë formë është i ndaluar sepse humb prejardhja, kurse Islami na urdhëron që të kujdesemi për prejardhjen ngase me të lidhen dispozita të shumta, si: martesa, trashëgimia, gjidhënia, dëshmia, mbikëqyrja, përkujdesja, e drejta në kërkimin e gjakut (kisasi), etj.. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush pretendon në Islam se i takon prindit të cilit e di se nuk është prindi i tij, atij i është ndaluar xheneti (hyrja në të).” [1]
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ka mohuar (ka bërë kufër) secili njeri që me vetëdije thirret në emrin e jo prindit të tij dhe kush pretendon se i takon një populli duke mos pasur prejardhjen prej tij, le ta përgatisë vendin e tij në zjarr.” [2]
Por nëse mendoni me adoptimin e fëmijës që të merrni një fëmijë që nuk i dihen prindërit dhe të kujdeseni për të duke i plotësuar të gjitha nevojat e tij, ashtu sikurse kujdeseni për fëmijën tuaj, por duke mos e konsideruar atë si fëmijë i juaji, atëherë kjo formë përkujdesjeje është e lejuar, madje për këtë vepër keni shpërblime të mëdha.
Allahu xh.sh., thotë:
“Dhe të pyesin ty për bonjakët. Thuaj: “Po t’i ndihmoni në punët e tyre është më mirë, e nëse i përzieni (pasurinë e tyre me tuajën), ata janë vëllezërit tuaj. Allahu di të dallojë qëllimkeqin nga qëllimmirin. E sikur të dëshironte Allahu do t’ju rëndonte. Allahu është më i fuqishmi, më i urti.” (Bekare: 220)
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Unë dhe kujdestari i jetimit jemi së bashku në xhenet kështu”, duke aluduar me gishtin tregues dhe të mesëm dhe i ndau në mes.” [3]
Hadithi na tregon se përkujdesja për jetimin e ka shpërblimin e madh, mirëpo kur ky jetim rritet dhe fillon t’i kuptojë gjërat, atëherë kujdestari i tij e ka për obligim që t’i tregojë të vërtetën duke i shpjeguar me një mënyrë të përshtatshme se ai nuk është babai i tij dhe se gruaja e tij nuk është nëna e tij, por ata vetëm janë përkujdesur për rritjen dhe edukimin e tij.
Po ashtu ata që dëshirojnë të përkujdesen për jetimin duhet të jenë njerëz të besueshëm si në aspektin njerëzor edhe në atë fetar, ngase nuk lejohet që përkujdesja ndaj jetimit t’i besohet ndonjë familjeje joislame apo ndonjë personi që mund të bëjë trafikim me qenie njerëzore.
Shteti dhe shoqëria në këtë çështje duhet të kenë kujdes të veçantë, ngase për fat të keq akte të këtilla në këtë shekull të materializmit mund të ndodhin me lehtësi.
Gjithashtu vlen të ceket se nëse ia merr ndonjë fëmijë ndonjë të afërmi, ndonjë miku apo kujtdo qoftë për ta rritur, për ta edukuar për shkak se ti nuk ke fëmijë, apo ke fëmijë por dëshiron t’ia lehtësosh dikujt anën ekonomike sepse ka shumë fëmijë e është i varfër, ndërsa ti ke pasuri dhe ia merr atë fëmijë për t’ia rritur, kjo është hallall, e lejuar, bile edhe sevap e shpërblim, sepse po ndihmon vëllanë tënd për të mirë.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
—————
Muslimi, nr. (63) 114.
Buhariu, nr. 6766; Muslimi, nr. (61) 112.
Buhariu, nr. 6005.