Agjërimi i femrës në ciklin mujor

102. I nderuar hoxhë! A është mëkat për femrën të agjërojë me cikël mujor?

Përgjigjja: Agjërimi i femrës gjatë ciklit mujor është i ndaluar dhe i pavlefshëm, është haram. Imam Neveviu ka thënë: “Është mendim unanim i umetit (ixhma) se agjërimi i femrës kur është me menstruacione apo në lehoni është i ndaluar (haram) dhe është i pavlefshëm, mirëpo obligohen t’i kompensojnë ditët e paagjëruara. Mendimin unanim në lidhje me këtë çështje e transmetojnë Tirmidhiu, Ibën Mundhiri, Ibën Xheriri dhe të tjerët.”[1]

Ibën Kudame ka thënë: “Dijetarët kanë mendim unanim se femrave me menstruacione dhe në lehoni nuk u lejohet agjërimi, por ato e prishin agjërimin dhe pastaj e kompensojnë. E nëse ato agjërojnë, atëherë agjërimi i tyre është i pavlefshëm.”[2]

Ndërsa Aishja r.a. ka thënë: “Në kohën e Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], kur kishim gjakrrjedhje (mestruacione ose lehoni), urdhëroheshim t’i kompensonim ditët e agjërimit, kurse nuk urdhëroheshim t’i kompensonim namazet (e pafalura).”[3]

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

 

El-Mexhmu’u, 2/386. ↑

El-Mugni, 4/397. ↑

Buhariu, nr. 321; Muslimi nr. (335) 69. ↑