Agjërimi i gruas gjidhënëse dhe shtatzënë

95. I nderuar hoxhë! A lirohet nga agjërimi gruaja gjidhënëse dhe shtatzënë?

Përgjigjja: Gruaja shtatëzanë apo gjidhënëse ka dy gjendje:

E para: Kur agjërimi nuk e rëndon atë, as foshnjën që ka në bark apo që është duke i dhënë gji, domethënë e përballon agjërimin pa asnjë problem, në këtë rast ajo e ka për obligim ta agjërojë Ramazanin sikurse njerëzit e tjerë.

E dyta: Nëse frikësohet për veten e saj, për frytin që ka në bark apo për beben e saj që ka në gji, atëherë në raste të këtilla lirohet nga përgjegjësia e agjërimit, mirëpo obligohet që ditët e paagjëruara t’i kompensojë atëherë kur ka mundësi, jashtë muajit Ramazan. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Me të vërtetë Allahu e ka liruar udhëtarin nga gjysma e namazit (ka të drejtë ta shkurtojë atë nga katër rekate në dy) dhe nga agjërimi, si dhe e ka liruar nga agjërimi shtatzënën dhe gjidhënësen.”[1]

Edhe pse nga teksti i hadithit të lartpërmendur mund të kuptohet se shtatzëna dhe gjidhënësja në formë të përgjithësuar lirohen nga agjërimi, dijetarët e të katër medhhebeve e kanë përkufizuar lejesën e mosagjërimit me ekzistimin e vështirësisë, duke vepruar në bazë të shkakut që ndikon në lejimin e mosagjërimit.

E njëjta gjë vlen edhe për mosagjërimin për shkak të sëmundjes. Allahu xh.sh. thotë:

 

“…Ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë (më vonë) aq ditë nga ditët e mëvonshme.”(Bekare: 185)

Dijetarët islamë duke e komentuar këtë ajet kanë thënë se lejohet mosagjërimi vetëm për atë sëmundje që e rëndon dhe e vështirëson agjërimin, përndryshe sëmundjet që nuk shkaktojnë vështirësi për agjërimin, si dhembja e këmbës, reumatizmi, thyerja e dorës e të ngjashme me këto nuk konsiderohen shkaqe që e lejojnë mosagjërimin. Duke e komentuar fjalën e Allahut:

 

“E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfri.” (Bekare: 184), Ibën Abasi thotë: “Ky ka qenë një lehtësim për të moshuarit, të cilët kanë pasur mundësi të agjërojnë, mirëpo u është dhënë mundësia që mosagjërimin e tyre ta kompensojnë me ushqimin ditor të një të varfri. Ky lehtësim vlente edhe për shtatzënën dhe gjidhënësen në rast se ka pasur frikë.”[2]

Pra, Ibën Abasi mosagjërimin për shtatzënën dhe gjidhënësen e ka përkufizuar me ekzistimin e frikës si për shëndetin e saj, ashtu edhe për shëndetin e foshnjës.

Dijetarët hanefi kanë dhënë sqarime të nevojshme në lidhje me këtë çështje. Xhessasi ka thënë: “Për shtatzënën dhe gjidhënësen, nëse agjërimi e dëmton shëndetin e tyre ose të foshnjës, mosagjërimi është më mirë për to, madje në raste të këtilla e kanë të ndaluar agjërimin. Por nëse agjërimi nuk e dëmton shëndetin e tyre dhe as shëndetin e foshnjës, atëherë në këtë rast edhe ato obligohen të agjërojnë dhe nuk u lejohet të mos agjërojnë.”[3]

Në këtë rast dëshiroj të përmend një metodë, e cila do t’ia lehtësonte agjërimin gjidhënëses dhe shtatzënës. Mendoj se gruaja gjidhënëse është mirë që të mos ngutet e ta prishë agjërimin me pretekstin se nuk ka gji të mjaftueshëm e po qan fëmija nga uria. Gjatë Ramazanit ajo të rrijë natën zgjuar dhe të marrë lëngje sa më shumë, po ashtu edhe foshnjën natën ta mbajë zgjuar sa më shumë, e më pas ditën të flejnë sa më gjatë, në mënyrë që të përballojnë agjërimin. Ose një ditë apo më shumë agjëron, e pastaj kur e sheh se njëmend ka mungesë qumështi, e prish. Gjatë asaj dite që nuk agjëron ushqehet shumë mirë, në mënyrë që të forcohet e të ketë mundësi të agjërojë, e kështu me radhë.

Gruaja shtatzënë është mirë që të punojë sa më pak gjatë ditës e të pushojë më shumë, ndërsa natën të rrijë zgjuar dhe të ushqehet e të marrë sa më shumë lëngje deri në syfyr. Mendoj se me një metodë të tillë shumë motra do të arrijnë ta përballojnë agjërimin gjatë shtatzënisë apo gjidhënies. Por prapë fetvaja mbetet në fuqi, që nëse kanë frikë për shëndetin e tyre apo të foshnjës, e kanë të lejuar të mos agjërojnë.

Allahu e di më së miri.

  1. Ebu Davudi, nr. 2408; Tirmidhiu, nr. 715. Albani ka thënë: “Hadithi është hasen sahih”.
  2. Ebu Davudi nr. 2318.
  3. Ahkam el-Kur’an li el-Xhessas 1/252.

 

Dr. Shefqet Krasniqi