Pyetja:

A mund të përdoret xhelatina në ëmbëlsira, kremra, pastaj edhe në mjekësi?

***

Përgjigjja:

Xhelatina është një substancë e nxjerrë prej lëkurave dhe eshtrave të shtazëve, përdoret për disa ëmbëlsira dhe barna mjekësore.

Sa i përket lejimit apo ndalimit të përdorimit të saj, themi se nëse është marrë nga shtazët të cilave u lejohet mishi për t’u ngrënë, atëherë ajo është hallall pa asnjë dyshim.

E nëse është marrë nga shtazët mishi i të cilave është haram, si derri apo shtazët e ngordhura, atëherë themi se nëse është përpunuar në atë mënyrë saqë ka ndryshuar tërësisht substancën e vet para se të hidhet në ushqime, duke u shndërruar krejt në një substancë tjetër, në këtë rast ajo çka më fle në zemër dhe mendoj se është hak është se ajo tashmë është pastruar dhe lejohet përdorimi i saj.

Kjo për faktin se shumë fukaha (dijetarë të fikhut), si hanefitë, pastaj shumë nga fukahatë e malikive, pastaj Ibën Tejmije dhe Ibën Kajjimi dhe shumë të tjerë, të mëhershëm e të mëvonshëm, kanë thënë se ndyrësira nëse ndërron substancën e saj, bëhet e pastër. P.sh. ndyrësira e kafshëve nëse thahet, pastaj merret dhe hidhet në zjarr, hiri i saj është i pastër sepse është shndërruar në një substancë tjetër. Ose derri, nëse shndërrohet në sapun, ai bëhet i pastër, sepse nuk është më derr, por sapun. Ose nëse derri apo qeni bie në vendin ku bëhet kripa dhe ngordh e shndërrohet në kripë, bëhet i pastër. Ose nëse vera shndërrohet në uthull, bëhet e pastër dhe shembuj të tjerë të shumtë.

E nëse nuk është përpunuar aq sa të ndryshojë tërësisht substanca e saj para përdorimit, apo është përpunuar por nuk ka ndryshuar substanca e saj, por edhe më tej ka mbetur në esencën e saj ashtu siç ka qenë, me pak ndryshime, atëherë nuk lejohet përdorimi i saj.

Nëse gjendja e saj është e panjohur, apo si xhelatinë nuk dihet se e kujt është, kjo parimisht duhet të ishte hallall sepse gjërat tek ne në Islam në esencë mbeten hallall derisa të vërtetohet e kundërta, mirëpo duke e ditur faktin se shumica e xhelatinës sot bëhet nga derri duke pasur parasysh çmimin e tij shumë të ulët, atëherë mendoj se më mirë është t’i largohemi përdorimit të saj, sepse dyshimi është shumë i madh dhe Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Lëre atë që dyshon në të dhe shko kalo në atë që nuk dyshon në të.” [1]

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Ahmedi, nr. (12099) 12123; Tirmidhiu, nr. 2518; Nesaiu, nr. 5711. Tirmidhiu ka thënë: “Hadithi është hasen sahih”. Albani ka thënë: “Është hadith sahih”.