Pyetja:
Çfarë dispozite ka therja e kurbanit për Bajram?
***
Përgjigjja:
Therja e kurbanit për Bajram është sunet muekede, d.m.th. sunet shumë i fortë, madje disa juristë islamë e kanë bërë edhe vaxhib [1] duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit ﷺ: “Kush ka mundësi materiale për të therur kurban e nuk ther, mos t’i afrohet fare vendit të faljes (së namazit të Bajramit).” [2]
Si dhe argumente të tjera.
Ndër argumentet që e bëjnë atë sunet është edhe hadithi i Pejgamberit ﷺ: “Kush do (ai që ka vendosur) të therë kurban, pasi të hyjnë dhjetë ditët (e para të Dhulhixhes), mos t’i shkurtojë qimet (e as flokët) e as thonjtë.” [3]
Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Kush do” jep të kuptohet se nuk është obligative, sepse vaxhibi apo obligimi nuk lidhet me dëshirë e me vullnet. Nga kjo mund të konkludojmë se edhe pse nuk është obligim-vaxhib therja e kurbanit, megjithatë nuk bën ta lërë ai që ka mundësi ta bëjë.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
————————————————————
[1] Si Ebu Hanife, Thevriu, Evzaiu, El Lejthi etj.
[2] Ibën Maxhe, nr. 3123. Albani ka thënë: “Hadithi është hasen”.
[3] Muslimi, nr. (1977) 39.