Pyetja:

A lejohet mbajtja e vathëve në buzë për meshkuj?

***

Përgjigjja:

Vendosja e vathit në buzë është e ndaluar si për meshkujt ashtu edhe për femrat, ngase ky veprim hyn në kategorinë e traditave të shëmtuara që burojnë nga inspirimi i shejtanit, i cili përpiqet që në mesin e njerëzve të përhapë tradita që do të shëmtojnë krijesat e Allahu xh.sh.. Allahu i Lartësuar duke përshkruar intrigat e shejtanit thotë:

Atë (shejtanin) e mallkoi Allahu. Ai ka thënë: “Unë do të përfitoj një pjesë të caktuar të robërve të Tu”. Do t’i shmang (nga e vërteta), do t’i bëj të shpresojnë në gjëra të kota; do t’i urdhëroj dhe ata do të shqyejnë veshët e bagëtive; do t’i urdhëroj dhe ata do të shëmtojnë krijesat e Allahut. E kush e bën mik djallin, e jo Allahun, ai ka dështuar sheshazi.” (Nisa: 118-119)

Shejtani do të bëjë çmos për t’i shëmtuar krijesat e Zotit, njerëzit, dhe shumë herë ia arrin një gjëje të tillë.

Vathi konsiderohet stoli grash, e cila vendoset në vesh, prandaj nuk i lejohet mashkullit të vendosë vathin në asnjë pjesë të trupit, ngase ky veprim do të ishte ngjasim i grave, të cilën i Dërguari i Allahut e ka mallkuar. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu i mallkoftë ata burra që u ngjasojnë grave dhe Allahu i mallkoftë ato gra që u ngjasojnë burrave.” [1]

Vendosja e vathit nga një mashkull në buzë apo në vesh është veprim i cili ka për qëllim ngjasimin e njerëzve të degjeneruar dhe që u takojnë besimeve e kulturave të huaja.

Muslimani duhet të ketë personalitetin e vet, i cili bazohet në besimin dhe edukatën islame.

Imitimi i kulturave të huaja është shenjë e dobësisë dhe luhatjes së imanit, për këtë arsye edhe i Dërguari i Allahut ﷺ na ka tërhequr vërejtjen duke thënë: “Kush mundohet t’i ngjasojë dikujt, ai edhe është me ta.” [2]

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 5885

[2] Ahmedi, 2/50 nr. 5115. Albani në Irva 5/109 ka thënë: “Hadithi është sahih”.