Pyetja:
Në cilat raste obligohet marrja e guslit?
***
Përgjigjja:
Marrë në përgjithësi, gusli apo larja e tërë trupit obligohet në këto raste:
1.Dalja e spermës nga organi gjenital i mashkullit apo derdhja e femrës, pavarësisht a është njeriu zgjuar dhe i del me vetëdije si me aktin seksual apo për shkak të ngacmimit të organit gjenital ose shikimit të pamjeve që nxisin epshin, ose kur është në gjumë.
Nëse sperma del kur njeriu është zgjuar, që gusli të jetë i obligueshëm kushtëzohet që gjatë daljes të ketë kënaqësi, të dalë me vrull dhe më pas të ketë edhe thyerje të epshit. Ndërsa nëse njeriu është në gjendje të zgjuar dhe i del sperma pa përjetimin e kënaqësisë, si në rast të ndonjë sëmundjeje apo lodhjeje, atëherë gusli nuk obligohet.
Nëse sperma del gjatë gjumit, pra kur nuk ka vetëdije, atëherë gusli obligohet pa marrë parasysh a ka përjetuar kënaqësi apo jo, për shkak të mosekzistimit të vetëdijes, e cila mund të ndikojë të mos e ndiejë përjetimin e kënaqësisë apo të ketë harruar që ka përjetuar kënaqësi. Pra, nëse njeriu kur zgjohet nga gjumi i vëren shenjat e spermës në rrobat e tij, duhet patjetër të marrë gusël. Mirëpo nëse në gjumë ka përjetuar kënaqësi, por kur është zgjuar nuk vëren shenja të spermës, atëherë nuk ka nevojë të marrë gusël.
Argument për obligueshmërinë e guslit në rast të daljes së spermës nga organi gjenital i mashkullit apo derdhjes së femrës është hadithi të cilin e transmeton Ebu Seid el-Huderij, se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Obligohet larja me ujë nëse del uji (sperma).” [1]
2.Takimi i dy organeve gjenitale dhe hyrja e organit të mashkullit në atë të femrës, pa marrë parasysh a del sperma apo jo. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse takohen dy organe gjenitale dhe depërton penisi, atëherë obligohet gusli, pa marrë parasysh a del sperma apo jo.” [2]
Në këtë rast gusli obligohet si për mashkullin ashtu edhe për femrën, pa marrë parasysh a del sperma apo jo. Ky qëndrim bazohet në hadithin e sipërpërmendur dhe në mendimin unanim (ixhma) të dijetarëve islamë.
3.Vdekja është prej shkaqeve që obligon guslin-larjen e të vdekurit. Pejgamberi ﷺ me rastin e vdekjes së njërës prej vajzave të tij i ka urdhëruar gratë duke u thënë: “Pastrojeni me ujë tri herë, pesë ose më shumë herë.” [3]
4.Pastrimi nga menstruacionet dhe lehonia. Kur femra është me menstruacione apo lehoni, ajo konsiderohet e papastër, mirëpo pas ndërprerjes së gjakrrjedhjes, obligohet të marrë gusël. Argument për këtë është fjala e Allahut xh.sh.:
“Të pyesin ty për të menstruacionin (hajdin). Thuaj: Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen. E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar Allahu. Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.”
(Bekare: 222)
Fjala e Allahut xh.sh. “derisa të pastrohen” nënkupton “ndërprerjen e gjakrrjedhjes nga menstruacionet”. Kurse fjala e Allahut xh.sh. “E kur të pastrohen”, do të thotë “të lahen me ujë”.
Po ashtu edhe thënia e Pejgamberit ﷺ për Fatime bint Ebi Xhahsh: “Kur të të vijnë menstruacionet, lëre namazin. E kur të ndërpriten ato, pastrohu (lahu) dhe falu.” [4]
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
——————
[1] Muslimi, nr. (343) 80.
[2] Buhariu, nr. 291; Muslimi nr. (348) 88.
[3] Buhariu, nr. 1253.
[4] Buhariu, nr. 320.