Pyetja:

Jetoj në kurbet, mirëpo xhaxhai ynë ka disa mosmarrëveshje me babanë tim dhe i kanë ndërprerë lidhjet. Babi im e viziton, kurse xhaxhai asnjëherë nuk na viziton. Si duhet të sillemi ne kur vijmë për pushime?

***

Përgjigjja:

Allahu i Madhërishëm ka urdhëruar për respektimin e farefisit dhe e ndërlidhi këtë porosi me porosinë e devotshmërisë. Allahu thotë:

”O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj, që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre të dyve u shtuan burra shumë e gra. Dhe kini frikë Allahun, që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju.” (Nisa, 1)

Pejgamberi ﷺ ka porositur që t’i mbajmë lidhjet familjare edhe me ata që i ndërpresin.

Transmeton Abdullah bin Amër bin Asi se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk i mban lidhjet farefisnore ai që këmben vizitat, por është ai që kur e bojkoton farefisi, ai i rivendos lidhjet me ta.”[1]

E përgëzojmë babanë tuaj për mosndërprerjen e lidhjeve me vëllanë e tij dhe kjo tregon se ai posedon virtyte të larta të Islamit, që është mosndërprerja e lidhjeve farefisnore me atë që i ndërpret ato. Ju duhet ta inkurajoni babanë tuaj që të vazhdojë të mbajë lidhje me vëllanë e tij dhe ta përkujtoni se kjo vepër e tij ka vlerë dhe peshë të madhe tek Allahu i Madhërishëm. Ju kur të vini për pushime, përveçse duhet ta vizitoni xhaxhanë tuaj, duhet edhe të interesoheni që t’i sillni dhurata të veçanta me shpresë se mirësjellja juaj do të ndikojë në zbutjen e qëndrimit të tij.

Po ashtu ju duhet të përpiqeni t’i përmirësoni raportet e babait me xhaxhanë, ngase pajtimi midis muslimanëve konsiderohet vepër me vlerë të madhe. Ebu Derda transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj për punët që kanë vlerën më të madhe se sa agjërimi (vullnetar), namazi (vullnetar) dhe lëmosha?” Sahabët kanë thënë: “Po, patjetër.” Pejgamberi ﷺ Ka thënë: “Pajtimi, përmirësimi i raporteve midis jush.”[2]

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

—————————–

[1] Buhariu, nr. 5991.

[2] Ebu Davudi, nr. 4919; Tirmidhiu, nr. 2509, dhe ka thënë se hadithi është sahih.