Pyetja:

A bën që burri të shkojë në kurbet dhe ta lërë gruan në shtëpi për një vit?

***

Përgjigjja:

Jeta bashkëshortore në Islam është e bazuar në të drejta dhe obligime të ndërsjella, të cilat i mundësojnë çiftit bashkëshortor një jetë të lumtur e të qetë. Jeta intime bashkëshortore pa dyshim është faktori kyç që ndikon në forcimin e dashurisë së ndërsjellë dhe rehatisë shpirtërore të çiftit gjatë martesës. Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe nga faktet e (madhërisë së) Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.”
(Rrum: 21)

Burri nuk ka drejtë të mungojë e të jetojë larg gruas pa lejen e saj për më shumë se katër muaj, përveç nëse merr leje prej saj, ngase prej obligimeve primare të burrit është që të plotësojë nevojat fiziologjike të gruas së tij, gjegjësisht të flejë me të.

Mirëpo nëse gruaja i jep leje burrit që të udhëtojë dhe të qëndrojë larg saj një vit, apo edhe më shumë, për të punuar apo për ndonjë arsye tjetër, atëherë këtu nuk ka asnjë të keqe, ngase ajo po tërhiqet nga një e drejtë e saj. Por kuptohet edhe në këtë rast, gjatë kohës së mungesës së burrit gruaja duhet të ketë vendbanim të sigurt dhe kushtet elementare për jetesë. Nëse burri i mungon gruas më shumë se katër muaj pa pëlqimin e saj, sipas sheriatit, gruaja në këtë rast ka të drejtë ta ngrejë çështjen te gjykatësi që ta detyrojë burrin të kthehet pranë gruas, ose në të kundërtën t’i mundësojë shkurorëzimin prej tij, ngase mungesa e burrit më shumë se katër muaj konsiderohet torturë dhe dëmtim i gruas. Allahu i Lartësuar thotë:

E kur t’i keni lëshuar gratë dhe ato i afrohen afatit të tyre, atëherë ose mbani si duhet ose i lëni si duhet (të kryejnë afatin), e mos i mbani sa për t’i dëmtuar, e të bëheni të padrejtë. E kush bën atë, ai e ka dëmtuar vetveten.” (Bekare: 231)

Gjithashtu i Lartësuari thotë:

E kur t’i afrohen ato mbarimit të afatit të tyre, atëherë ose mbani (i ktheni në jetën bashkëshortore) si duhet, ose ndahuni prej tyre si është e udhës, e këtë do ta dëshmojnë dy dëshmitarë të drejtë nga mesi juaj dhe dëshminë zbatojeni për hir të Allahut. Kështu këshillohet ai që i beson Allahut dhe Ditës së Fundit, e kush u përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë.” (Talak: 2)

Kalifi i dytë i muslimanëve, Umer bin Hatabi gjatë udhëheqjes së tij ka marrë vendim që burrat të cilët merrnin pjesë në xhihad të mos mungonin prej familjeve të tyre më shumë se katër muaj, me qëllim që të mos dëmtohen gratë për shkak të mungesës së burrave.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi