Pyetja:
Gazetarët dhe lajmet sipas cilave kritere duhet funksionuar?
***
Përgjigjja:
Lajmi ka fuqi të paparë mes njerëzve, ndaj të gjithë ata që merren me përçimin e lajmeve, sidomos ata që e kanë profesion, apo që e bëjnë për pasion në mënyrë vullnetare nëpër rrjetet sociale, duhet të njohin etikën minimale të detyruar e obligative, se si duhet të sillen me përçimin e lajmit tek njerëzit. Saktësia e lajmit dhe preciziteti i detajeve të tij të rëndësishme, mbi të cilat më pas ndërtohen edhe qëndrimet, është thelbësore për përçimin e lajmit, dhe jo shpejtësia e dhënies së tij. Saktësia dhe vërtetësia e lajmit prevalon mbi çdo prioritet tjetër, menjëherë pas kësaj vjen dobia dhe rëndësia e tij, e më pas vjen koha e dhënies së tij. Nëse kjo renditje logjike, morale dhe fetare përmbyset, jo vetëm nga dashakeqësia, por edhe nga papërgjegjshmëria njerëzore dhe natyra e nxituar e tij, jep të njëjtin përfundim të dhimbshëm të keqkuptimeve dhe fatkeqësive që ajo mund të shkaktojë.
Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Kur ju vjen ndonjë lajm qetësues apo shqetësues, ata e përhapin menjëherë atë. Por, nëse këtë lajm do t’ia përcillnin Profetit ose parisë së tyre, hulumtuesit e vërtetë do të dinin të nxirrnin përfundime.” (Nisa: 83)
“O ju që keni besuar! Nëse ndonjë i padrejtë ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, në mënyrë që të mos e lëndoni ndonjë njeri pa dashje e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.” (Huxhurat: 6)
Allahu e di më së miri
Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë