Pyetja:
Sa është numri i lëvizjeve, të cilat nëse bëhen gjatë namazit e bëjnë të pavlefshme atë?
***
Përgjigjja:
Nuk mund të themi se ka ndonjë numër të caktuar në lidhje me këtë.
Nëse ai që është duke u falur, është duke kryer lëvizje të njëpasnjëshme të cilat nuk kanë lidhje me natyrën e namazit, aq sa nëse dikush që e sheh, mendon se ky njeri nuk është duke u falur, atëherë themi se namazi i tij është i pasaktë.
Për këtë arsye, shumica e dijetarëve musliman, këtë çështje e bazojnë në atë se çfarë është traditë mes muslimanëve. Nëse njeriu gjatë namazit bën lëvizje të shumta e të njëpasnjëshme, atëherë namazi i tij bëhet i pavlefshëm.
Shumica e dijetarëve nuk përmendin ndonjë numër të caktuar në lidhje me këtë.
Sa i përket faktit se disa nga dijetarët musliman kanë caktuar se numri i lëvizjeve të cilat nëse bëhen gjatë faljes e bëjnë të pavlefshme atë, është tre, kjo ka nevojë për argument (pra, nuk është e saktë).
Çdo njeri i cili për diçka prej dispozitave të fesë përmend numër të caktuar, apo përshkruan formën e caktuar të ndonjë adhurimi të pretenduar, duhet të sjellë argument për të. Nëse nuk sjell argument, atëherë ai ka futur në fenë e Allahut atë çfarë nuk është prej fesë!
Muhamed bin Salih el Uthejmin (Allahu e mëshiroftë!)
Përktheu: Udha e Besimtarëve