Pyetja:
Cilat janë duatë që duhen thënë para dhe pas abdesit?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut.
Duatë që thuhen në fillim të abdesit dhe pas përfundimit të saj janë transmetuar nga Pejgamberi ﷺ.
Duaja para abdesit
Për sa i përket asaj që do të thuhet në fillim, e vetmja gjë që është transmetuar është përmendja e emrit të Allahut duke thënë Bismilah (në emër të Allahut). Dëshmi për këtë janë fjalët e Pejgamberit ﷺ: “Nuk ka abdes për atë që nuk e përmend emrin e Allahut në të.” [1]
Bejhakiu ka thënë [2]:
“Transmetimi më i shëndoshë në lidhje me thënien Bismilah (për abdes) është hadithi i Enesit, sipas të cilit Pejgamberi ﷺ e futi dorën në enë me ujë dhe më pas tha: “Bëni abdes në emër të Allahut.” (Enesi) tha: E pashë ujin që buronte nga gishtat e tij dhe njerëzit morën abdes derisa i fundit kishte marrë abdes dhe ishin gati shtatëdhjetë burra. [3]
Duaja pas abdesit
Në lidhje me atë që thuhet pas abdesit, janë transmetuar një sërë hadithe në lidhje me këtë. Nga transmetimet mund të konstatohet se ai ka thënë:
“Esh-hedu en lá Iláhe il-lAlláhu vahdehu lá sheríke lehu ve esh-hedu enne Muhammeden abduhú ve resúluhú. All-llahumme-xh-alní minet-tevvábíne ve-xh-alní minel-mutetahirín. Subháneke All-llahumme ve bihamdike, Esh-hedu en lá iláhe il-lá Ente estagfiruke ve etúbu ilejke.”
Transmetohet nga Omer ibnul Hattabi se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk ka asnjë prej jush që merr abdes dhe e bën mirë, e pastaj thotë:” Esh-hedu en lá Iláhe il-lAlláhu vahdehu lá sheríke lehu ve esh-hedu enne Muhammeden abduhú ve resúluhú. (Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut Një, i vetëm dhe i pashoq dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij), veçse do t’i hapen atij tetë dyert e Xhenetit dhe ai do të hyjë nga cila të dojë.” [4]
Tirmidhiu (55) shtoi: “All-llahumme-xh-alní minet-tevvábíne ve-xh-alní minel-mutetahirín. (O Allah, më bëj prej atyre që pendohen dhe më bëj prej atyre që pastrohen).” [5]
islamqa.info
——————————————————–
[1] Tirmidhiu, 25. Ai tha: Në lidhje me këtë temë është transmetuar nga Aishja, Ebu Se’idi, Ebu Hurejra, Sehl ibn Sa’di dhe Enesi. Ahmed ibn Hanbeli ka thënë: Unë nuk di ndonjë hadith me isnad xhejid për këtë temë. (El-Tirmidhi). Hadithi u klasifikua si sahih nga Albani në Sahih el-Tirmidhi.
[2] Neveviu në el-Mexhmu’ (1/385).
[3] Isnadi i tij është xhejid dhe është cituar si dëshmi nga el-Bejhakiu në librin e tij Ma’rifat al-Sunen ue’l-Athar; hadithin tjetër e klasifikoi si daif (të dobët).
[4] Muslimi, 234.
[5] Disa dijetarë e klasifikojnë të dobët, disa të tjerë të mirë