Pyetja:

A lejohet t’ia falim namazin e xhenazes atij të cilit ka kryer vetëvrasje?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja, bekimet dhe shpëtimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin Muhamed ﷺ.

Allahu i Madhëruar thotë: “Mos e vrisni veten tuaj! Vërtetë Allahu është shumë i Mëshirshëm me ju. Kush e bën këtë qëllimisht dhe tejkalon kufijtë, Ne do ta hedhim atë në zjarr flakërues, dhe kjo për Allahun është e lehtë.” (Nisa: 2930)

Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Kush e vret veten në këtë botë me ndonjë mjet apo mënyrë të caktuar, do të dënohet me të në botën tjetër.” [1]

Po ashtu përcillet se Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Kush bën vetvrasje duke u hedhur nga ndonjë shkëmb, ai do të jetë në zjarr të xhehenemit, ku do të dënohet duke e përsëritur aktin e tij përjetësisht. Kush bën vetvrasje duke gëlltitur helm, ai do të jetë në zjarr të xhehenemit, me helmin në dorën e tij, të cilin e gëlltit përjetësisht. Kush e vret veten e tij me ndonjë gjë të hekurt, do të dënohet në zjarrin e xhehenemit me hekurin që do ta mbajë në dorë e me të cilin do të çaj barkun e tij, përgjithmonë.” [2]

Pejgamberi ﷺ nuk ua ka falur namazin e xhenazes atyre muslimanëve të cilët kanë kryer vetëvrasje. Vetëvrasja llogaritet prej mëkateve më të mëdha, por nuk do të thotë që ky mëkat të nxjerr nga taborri i muslimanëve.

Muslimanëve të cilët e kryejnë një vepër të tillë lejohet t’iu falet namazi i xhenazes nga një grup i caktuar i njerëzve por jo nga të gjithë muslimanët. Faktin e lejueshmërisë e përmend imam Berbehari. [3]

Hoxhë Zejd Haziri

—————————–

[1] Buhariu 6047 dhe Muslimi 176

[2] Buhariu 5778 dhe Muslimi 175

[3] Sherhu Sunneh

Comments are closed.