Pyetja:
Nëse dikush merr borxh nga unë 100 euro dhe ato para i investon diku dhe bën një fitim prej 120 euro. Kur të më kthejë mua borxhin sa të holla duhet të m’i kthejë? Nëse unë i kërkoj të m’i kthej 110 euro, ato 10 euro a janë kamatë apo jo?
***
Përgjigjja:
Vëlla i nderuar, e tëra varet nga marrëveshja. Në qoftë se ti 100€ që ia ke dhënë dikujt i ke dhënë në emër të borxhit, atëherë sado që ai fiton nga ai borxh që ka marrur prej teje ty nuk të takon të përzihesh në fitimin e tij. Por ty të takojnë vetëm ato para aq sa ai të ka borxh, në këtë rast ia ke dhënë 100€ ai duhet t’i kthejë 100€.
Por në qoftë se ai humb, përsëri obligohet të t’i kthejë 100€. Prandaj fitim dhe humbja e tij nuk e përcaktojnë shumën që duhet kthyer ty. Për arsye sepse ti atje ia ke dhënë borxh.
Por në rast se ti ia ke dhënë 100€ që të bëhesh ortak me të, partner me të në një biznes të caktuar, në këtë rast duhet caktuar edhe sasinë e fitimit së bashku me humbjen. Kështu nëse fiton do marrësh kaq përqindje (ashtu siç ju dakordoheni), por nëse humb edhe ti do prekesh nga kjo humbje dhe merr kaq përqindje. E në këtë rast të takon të marrësh më tepër nëse ai ka fituar nga investimi.
Ndërkaq siç e ke përmend se ai të merr borxh 100€, atëherë pavarësisht se sa ai fiton detyrohet përballë teje t’i kthejë vetëm 100€ dhe ti duhet t’i marrësh vetëm 100€ e jo më tepër. Ngase jo vetëm 10€, po nëse edhe vetëm 1€ është më tepër në këtë rast llogaritet si kamatë.
Hoxhë Enis Rama
Comments are closed.