Pyetja:
Ndaj shumë lojtarëve myslimanë në shtetet evropiane, ushtrohen presione për shkak të agjërimit gjatë stërvitjes. Disa prej tyre e kanë prishur agjërimin, kurse të tjerët kanë refuzuar.
Prandaj, a u lejohet sportistëve myslimanë ta prishin agjërimin nëse përfaqësojnë vendin e tyre në një shtet tjetër? A u lejohet prishja e agjërimit thjesht për hir të futbollit? Kam dëgjuar disa myftilerë ta lejojnë prishjen e agjërimit për sportistët nëse kanë ndeshje dhe u duhet të stërviten. Po brenda kufijve të vendit të tyre, a u lejohet ta prishin agjërimin?
***
Përgjigjja:
Besoj se ajo që kërkohet prej sportistëve dhe lojtarëve brenda ose jashtë vendit të tyre, është stërvitja dhe pjesëmarrja në ndeshje. Lidhur me aktivitetet që zhvillohen jashtë vendit, ata gëzojnë të drejtën ta prishin agjërimin pasi janë udhëtarë. Kjo është diçka e bazuar si në Kuran, ashtu dhe në traditën profetike.
Allahu i Madhëruar thotë: ”Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” (Bekare, 185)
Kjo ceket edhe në shumë hadithe të sakta, por është dhe një ndër ato mesele e cila gëzon konsensusin e dijetarëve myslimanë, edhe pse ata kanë mospajtime lidhur me distancën në të cilën lejohet prishja e agjërimit. Disa prej tyre mendojnë se kjo distancë është katër ditë udhëtim, disa të tjerë pesëmbëdhjetë dhe të tjerë e kanë lënë të hapur, përderisa ai etiketohet si udhëtar.
Kjo u mundëson sportistëve pjesëmarrës në ndeshjet e jashtme, që ta prishin agjërimin, nëse duan. Kjo, edhe pse di që shumë prej sportistëve insistojnë të agjërojnë, duke e parë agjërimin si një forcë dhe energji shpirtërore. Sido që të jetë, ata janë të lirë të zgjedhin, nëse duan veprojnë sipas lehtësimit dhe ta prishin agjërimin ose ta mbajnë dhe fitojnë sevapin e Zotit.
Sakaq, ato ndeshje dhe stërvitjet që zhvillohen brenda shtetit, është detyrë e institucioneve që stërvitjet dhe ndeshjet t’i bëjnë natën, pas iftarit. Kurse për ta lejuar prishjen e agjërimit në një rast të tillë, as që bëhet fjalë.
Zoti e di më mirë.
Jusuf Kardavi
Comments are closed.