Pyetja:

Në imsakijet që janë kohët e namazit dhe iftari e syfiri, shkruan një dua që bëhet kur të çelish iftar. A është patjetër këtë dua ta bësh, a mundet të thuash diçka tjetër?

***

Përgjigjja:

Në disa hadithe të përcjellura prej të Dërguarit të Allahut ﷺ theksohet vlera e lutjes në iftar nga ana e personit i cili ka agjëruar. Kjo do të thotë se muslimani kohën e iftarit duhet ta shfrytëojë maksimalisht me lutje, e mos ta çojë kot, ngase kjo kohë është një nga kohët kur pranohen lutjet, normalisht nëse lutja i ka të plotësuara edhe kushtet tjera.

Kur jemi te lutja në iftar, duhet të nënvizoj se nuk ka lutje të caktuar që patjetër ajo të bëhet, e tjerat jo, por nocioni lutje është i gjërë dhe nënkupton çdo lutje që e bën besimtari. Për atë, në iftar lutu çka të duash, se është koha kur pranohen lutjet, dhe lutja juaj inshallah pranohet bashkë me lutjet e muslimanëve.

Lutja që shkruhet nëpër imsakije, gjegjësisht lutja: ”O Zot, për ty agjërova, Ty të besova, dhe me rizkun Tënd bëj iftar”, është lutje e mirë dhe pa problem mund të bëhet. Por, nuk do të thotë se patjetër kjo lutje të bëhet, mund të bëhen edhe lutje tjera. Kjo është vetëm një nga lutjet e mundshme.

Me këtë formulim, është përmendur në disa transmetime, por njohësit e hadithit nuk e vërtetojnë se është thënie e të Dërguarit të Allahut ﷺ, apo thënë ndryshe, e klasifikojnë si hadith i dobët. Megjithatë, edhe nëse nuk është thënie e të Dërguarit të Allahut, pa problem mund të bëhet si lutje bashkë me lutje tjera.

Një lutje që e ka bërë i Dërguari i Allahut ﷺ në iftar është transmetuar prej Ibn Omerit se ka thënë: ”I Dërguari i Allahut ﷺ kur bënte iftar, thoshte: Etja u largua, u lagën damarët dhe u meritua shpërblimi, insha Allah”. [1]

Për atë, porosia ime është:Bën lutje sa të mundesh, qoftë ajo që është e shkruar në imsakije, qoftë këtë që e ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ e që ka vlerë të veçantë nëse e bën për ta ndjekur të Dërguarin e Allahut, apo çfardo lutje tjetër të mirë.
Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

——————————-

[1] Ebu Davudi dhe Nesaiu

Comments are closed.