Isai -alejhi selam, është profeti i fundit i Beni Israilëve për të cilin Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

وَإِذْ قَالَ عِيسَى ابْنُ مَرْيَمَ يَابَنِي إِسْرَائِيلَ إِنِّي رَسُولُ اللَّهِ إِلَيْكُمْ

“Përkujto kur Isai u tha Beni Israilëve: Unë jam i dërguari i Allahut tek ju.” Es-Saf: 6.

Profeti Isa -alejhi selam, konsiderohet profeti më i madh i Beni Israilëve pas Musait -alejhi selam, dhe kjo për disa arsye:

E para: Lindja e Isait -alejhi selam, ishte mrekulli prej Allahut të Madhëruar.

Isai -alejhi selam, lindi nga Merjemja, një vajzë e ndershme e Beni Israilëve e dhuruar për të shërbyer në xhaminë Aksa, nëpërmjet një shtatzanie të urdhëruar drejtpërsëdrejti nga Allahu i Madhëruar.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

وَمَرْيَمَ ابْنَتَ عِمْرَانَ الَّتِي أَحْصَنَتْ فَرْجَهَا فَنَفَخْنَا فِيهِ مِنْ رُوحِنَا

(Përkujtoni, o besimtarë) Merjemen të bijën e Imranit, e cila e ruajti nderin e saj dhe Ne i frymë nëpërmjet Shpirtit Tonë (për krijimin e Isait -alejhi selam-). Et-Tahrim: 12.

Krijimi i Isait -alejhi selam, nëpërmjet një fryrjeje në barkun e nënës së tij ishte mrekulli e Allahut, sepse ishte rast unik i pandodhur më parë dhe që nuk do të përsëritet më deri në Kiamet. Praktika e përhershme e Allahut në lidhje me krijimin e njerëzve është krijimi i tyre me nënë e baba, ndërsa Isai -alejhi selam- u krijua vetëm me nënë. Rasti i tij nuk ngjan veçse me rastin e krijimit të parë, Ademit -alejhi selam-, i cili u krijua nga balta pa nënë dhe pa baba.

Isai -alejhi selam, për t’a pohuar këtë mrekulli dhe për të treguar realitetin e tij, u foli njerëzve që në djep dhe u tha:

قَالَ إِنِّي عَبْدُ اللَّهِ آتَانِيَ الْكِتَابَ وَجَعَلَنِي نَبِيًّا * وَجَعَلَنِي مُبَارَكًا أَيْنَ مَا كُنْتُ وَأَوْصَانِي بِالصَّلَاةِ وَالزَّكَاةِ مَا دُمْتُ حَيًّا * وَبَرًّا بِوَالِدَتِي وَلَمْ يَجْعَلْنِي جَبَّارًا شَقِيًّا * وَالسَّلَامُ عَلَيَّ يَوْمَ وُلِدْتُ وَيَوْمَ أَمُوتُ وَيَوْمَ أُبْعَثُ حَيًّا

Ai (Isai) u tha: Unë jam robi i Allahut i Cili më ka dhënë librin (Inxhilin) dhe më ka bërë profet. Ai më ka bërë të begatë kudo që të jem dhe më ka porositur për namaz dhe zekat sa të jem gjallë. Ai më ka bërë të sjellshëm me nënën time dhe nuk më ka bërë tiran, të pafat. Paqja qoftë mbi mua ditën që linda, ditën që do të vdes dhe ditën kur do të ringjallem!” Merjem: 30-33.

E dyta: Isai -alejhi selam, erdhi me argumente dhe mrekulli të mëdha prej Allahut të Madhëruar.

Mrekullitë janë veprime të jashtëzakonshme me të cilat dërgohen profetët për t’i frikësuar mohuesit e Allahut nga dënimi i Tij, për të forcuar besimtarët në besimin e tyre, dhe për të bërë përfundimisht dallimin e besimtarëve nga mohuesit.

Isai -alejhi selam, u erdhi Beni Israilëve me disa mrekulli siç i ka përmendur Allahu i Madhëruar në Kuran, si p.sh.; shndërrimi i zogjve të krijuar nga balta në zogj të vërtetë me një të fryrë prej tij, shërimi i të verbërve dhe i atyre me lebrozë, ringjallja e të vdekurve dhe njoftimi se çfarë hanin njerëzit dhe çfarë ruanin në shtëpitë e tyre.

Prezenca e këtyre mrekullive në mesin e Beni Israilëve ishte mirësi e madhe për ta, sepse ato i nxisnin për të reflektuar dhe për të kujtuar mirësitë e Allahut i Cili i kishte dalluar ata për një kohë të gjatë me libra e profetë.

E treta: Isai -alejhi selam, erdhi me një libër prej Allahut të Madhëruar, Inxhilin, i cili përmbante këshilla dhe lehtësime.

Allahu i Madhëruar thotë se Isai -alejhi selam, u tha Beni Israilëve:

وَمُصَدِّقًا لِمَا بَيْنَ يَدَيَّ مِنَ التَّوْرَاةِ وَلِأُحِلَّ لَكُمْ بَعْضَ الَّذِي حُرِّمَ عَلَيْكُمْ

(Unë u kam ardhur juve) Si vërtetues i Teuratit dhe për t’ua lejuar disa nga ato që u ishin ndaluar.” Ali Imran: 50.

Ardhja e Inxhilit me disa gjykime ndryshe nga ato të Teuratit tregon se dërgimi i Isait -alejhi selam- ishte mirësi e madhe për Beni Israilët edhe në lidhje me detyrat e tyre fetare. Për shkak të kundërshtimeve të tyre ata trashëgonin një fe të vështirë.

Pra, Isai -alejhi selam, është një nga profetët e mëdhenj të Allahut, i dërguar i Tij për Beni Israilët në Sham dhe vazhdimi i vargut të profetëve të tyre.

 

Dr. Abdullah Nabolli
https://udhaebesimtareve.com/