Bismilah
Në lidhje me këtë çështje, dijetarët kanë folur gjerësisht në librat e fikhut.
Posaçërisht tek tema ku trajtohen kategoritë e zekatit, pra atyre që e meritojnë zekatin.
Në këtë kategori hynë edhe ata që janë në borxhe, e që lejohet të marrin zekatin për të shlyer borxhet nëse nuk kanë mundësi t’i shlyejnë ndryshe.
Por a lejohet të ju ipet zekati atyre që kanë hy në borxhe për ndonjë mëkat apo jo? Këtu bën pjesa edhe mëkati i vëllait.

Të gjithë janë të mendimit se nuk lejohet të i ipet zekati nëse personi në fjalë nuk është penduar nga ai mëkat, ngase kështu po i ndihmojmë të hyjë në mëkat përsëri.
Mirëpo, nëse vërtetohet se është penduar nga ai mëkat, atëherë mendimi më i saktë i dijetarëve është se lejohet të i ipet zekati për ta fshirë borxhin edhe nëse është mëkat.

Rasti i cekur në pyetje futet në kategorinë e fundit, pra pasiqë ky person është penduar, lejohet që të ndihmohet në çfarëdo forme, qoftë zekat apo ndihma tjera, për të dalë nga ky borxh. Normalisht, nëse ai nuk ka mundësi ta shlyej vet, siç e ceka më lartë.
Madje, konsideroj se në kësi raste, ndihmesa ndaj tij ka shpërblime të shumta, ngase përveçse po i ndihmon vëllait tënd që është ngushtë, ti në të njëjtën kohë po ja lehtëson rrugën e pendimit dhe kthyerjes te Allahu. A ka më mirë se të bëhesh sebeb që dikush të ec në drejtim të Allahut me shpejtësi dhe pa ngecje!

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, në disa vende në librat e tij përmend se, nuk ka rrugë e cila hap derën e pendimit dhe lehtëson atë, veçse Allahu nxit në atë rrugë dhe e përkrah atë dhe se kjo është kështu ngase Zoti e don pendimin dhe i don ata që kthehen te Ai me pendim.

Allahu na largoftë nga mëkatet dhe na mundesoftë të pendohemi saher që mëkatojmë.

Allahu e din më së miri.

Mr. Xheladin Leka
Zürich, Zvicër.