Përse në Islam, për dallim nga fetë tjera, namazi nuk lejohet vetëm se në gjuhën arabe?
Thotë Allahu i Madhëruar:
“Elif, Lam, Ra. Këto (ajete që t’u zbritën) janë ajetet e librit të qartë. 2. Ne e zbritëm atë Kur’an arabisht, ashtu që ta kuptoni.“ (Jusuf, 1-2)
Këto ajete tregojnë se gjuha arabe ka rol të madh në të kuptuar, medituar dhe logjikuar, për këtë shkak, Allahu e shpalli Kur’anin në gjuhën arabe, në këtë më të mirën gjuhë, gjuhë e banorëve të Xhennetit…
Urtësia pse nuk lejohet leximi i Kur’anit në namaz në gjuhë tjera përveç arabishtes përmblidhet në disa pika, si:
- Ngase është të folur të Allahut dhe neve nuk na lejohet ndryshimin e tij, qoftë edhe të një shkronje.
- Ngase leximi shpërblehet shkronjë për shkronjë, një shkronjë me dhjetë sevape, ndërsa në rast të përkthimit, shkronjat me gjasë do të shtoheshin ose do të pakësoheshin.
- Allahu e ka marrë përsipër ruajtjen e librit të Tij nga ndërrimi dhe shtrembërimi. Thotë Allahu: “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.“ (el-Hixhr, 9) Sikur t’i lejohej çdo njeriu leximi i Kur’anit në gjuhën e tij përkatëse, gjithsesi se kjo do të shtrembëronte domethëniet dhe kuptimet e tij.
- Lejimi për leximin e Kur’anit në gjuhë të ndryshme do të kishte për pasojë shtrembërimet në botëkuptimet e Kur’anit, sepse njerëzit do të kishin mospajtime rreth domethënieve dhe se secili do të pretendonte se përkthimi i tij është më autentik dhe më origjinal. Pra, Kur’ani si referencë do të dobësohej shumë.
- Leximi i Kur’anit në gjuhën arabe ndikon në unitetin e myslimanëve. Drejtimi i tyre kah një kibël dhe leximi i të njëjtave tekste, kontribuon shumë në ruajtjen e unitetit dhe bashkimit të tyre.
- Gjuha arabe është gjuha e njeriut më të dashur tek Allahu, Muhammedit [alejhis salatu ves selam]. Është po kështu gjuha të cilën e ka folur Ademi [alejhiselam] dhe të cilën do ta flasin banorët e Xhennetit. Është gjuhë, të cilën logjika e kupton ndërsa ndikimi i saj në trurin e njeriut është i pashmangshëm. Kjo teori ka nevojë për një provë shkencore por ne besojmë fuqishëm dhe kemi arsye sepse Allahu e shpalli Kur’anin në gjuhën arabe me qëllim të shpjegimit, të kuptuarit dhe medituarit.
Për fund, do të doja të meditojmë ajetet në vijim:
- Ligjvënësit thonë se gjuha arabe është gjuha më e mirë në botë për të shprehur qartë dhe mirë termet dhe ligjet. Është gjuhë elokuente. Për këtë arsye, Alalhu e ka quajtur ‘kushtetutë.’ Thotë Allahu: “Dhe ashtu, Ne e shpallën atë (Kur’anin) kushtetutë në arabishte. E nëse ti pasi të kanë ardhur argumente të qarta shkon pas dëshirave të tyre, ti nuk ke prej All-llahut as ndihmë as mbrojtje.“ (err-Rra’d, 37)
- Gjuha arabe është ndër gjërat që motivon devotshmërinë. Thotë Allahu: “Kështu Ne e shpallëm këtë Kur’an arabisht dhe përsëritëm në të vërejtjet, në mënyrë që ata të ruhen ose ai (Kur’ani) t’u sjellë atyre përvojë mësimi.“ (Taha, 113)
- Gjuha e Kur’anit është mjet për ta shtuar devotshmërinë dhe për tu kthyer robi tek Krijuesi i tij. Thotë Allahu: “Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kur’an shembuj nga çdo lëmi e nevojshme, ashtu që ata të marrin përvojë (mësim), 28. Duke qenë Kur’ani arabisht që nuk ka kundërthënie, me qëllim që të ruhen prej rrugës së gabuar.“ (ez-Zumer, 27-28)
- Gjuha arabe është mjet për të shtuar diturinë. Thotë Allahu: “Ha, Mim. 2. Zbritje prej Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! 3. Libër që ajetet e tij janë të shkoqitura, duke qenë Kur’an arabisht për një popull që di ta kuptojë.“ (Fussilet, 1-3)
- Gjuha arabe është mjet adekuat për tërheqje vërejtjesh. Elokuenca që ka dhe ndikimi i nevojshëm që bën, bëjnë që shpirti të këshillohet. Thotë Allahu: “Prandaj, Ne të shpallëm ty Kur’anin arabisht që ta këshillosh kryefshatin (Meken) dhe ata përreth saj, dhe t’u tërheqish vërejtjen për ditën e tubimit (kijametit), për të cilën nuk ka dyshim. Një grup për në xhennet, kurse një grup për në zjarr.“ (esh-Shura, 7)
- Gjuha arabe është mjet vërtetimi, për shkak të karakterizimit me struktura fjalësh të veçanta. Sikur shkencëtarët të bënin analiza, do ta vërenin këtë gjë. Thotë Allahu: “E para tij ishte libri i Musait, prijës dhe mëshirë, e edhe ky është libër që vërteton (librin e Musait), është në gjuhën arabe për t’u tërhequr vërejtjen atyre që nuk besuan, kurse myzhde për besimtarët.“ (el-Ahkaf, 12)
- Gjuha arabe është mjet i shpjegimit dhe sqarimit. Thotë Allahu: E edhe ai (Kur’ani) është shpallje (zbritje) e Zotit të botëve. 193. Atë e solli shpirti besnik (Xhibrili). 194. (E solli) Në zemrën tënde, për të qenë ti prej atyre që tërheqin vërejtjen (pejgamber). 195. (Të shpallëm) Me gjuhë të kulluar arabe.“ (esh-Shuara, 192-195)
- Është gjuhë e shprehjes së detajeve dhe shpjegimeve të hollësishme. Thotë Allahu: Sikur Ne ta bënim Kur’anin në gjuhë të huaj, ata do të thoshin: “Përse nuk janë ajetet e tij të kuptueshme (të shkoqitura), a është ai (Kur’ani) në gjuhë të huaj, kurse ai (pejgamberi) është arab?” Thuaj: “Ai është për besimtarët udhëzues e shërues. E ata që nuk besojnë, në veshët e tyre kanë shurdhim, dhe ai për ta është verbërim. Të tillët janë sikurse thirren prej një vendi të largët e nuk dëgjojnë”.“ (Fussilet, 44)
- Është gjuhë e shtimit të të kuptuarit. Thotë Allahu: Ha, Mim. 2. Pasha librin (Kur’anin) sqarues! 3. S’ka dyshim se Ne e bëmë atë Kur’an arabisht, në mënyrë që ju ta kuptoni. “ (ez-Zuhruf, 1-3)
Pas këtyre shpjegimeve, athua mbetet vend për të ndërruar këtë gjuhë madhështore me gjuhë të tjera?!
Autor: Abdudaim el-Kehil Burimi:http://www.kaheel7.com/ Përshtati: Sedat Islami