Pyetje:

Redaksi e nderuar,
SELAM ALEJKUM!
Allahu ju shpërbleftë për punën që po bëni!

Desha të marr një përgjigje nga ana juaj. Përkundër asaj që kam lexuar, nuk po e kuptoj fjalën DHIKËR. Problemin më të madh e kam kur jam me menstruacione, d.m.th. kur nuk mundem me u falë. Kërkoj nga ana juaj të ma shpjegoni se a mund të bëj dua në kohën e faljes së sabahut, të drekës apo tjerave kohë? Në mungesë të namazit a mundem të bie tamam në sexhde, t’i lutem të lumit ALLAH, me lutje që i drejtohem kur bëj namaz? Po ju drejtohem me këtë pyetje, sepse e di se jam e sulmuar nga shigjetat helmuese te shejtanit të mallkuar dhe e ndiej veten shumë keq ato ditë.

Përgjigje:

Alejkum selam ve Rahmetullah!

Fjala dhikër ka kuptimin e përmendjes, e që është fjala për përmendjen e Allahut duke recituar lutje të caktuara në kohë të caktuara, tesbihëve (të thënët: Subhanallah, Elhamdulilah, Allahu Ekber, La ilahe il-lall-llah etj.) etj. 
Për të bërë këto lutje nuk kërkohet abdesi, andaj pa kurrfarë problemi, madje shumë e preferuar është që femra me menstruacione ta shtojë sa më shumë dhikrin, pasi ajo nuk falë namazin e as nuk agjëron dhe në atë rast e kanë edhe më lehtë që ta sulmojnë shpirtrat e lig të djajve.

Sa i përket sexhdes, nuk është ndonjë ritual që bëhet në mënyrë të veçantë përpos në dy raste:

pas leximit të ajeteve të sexhdes, që janë disa ajete të caktuara në Kuran dhe

në rast të gëzimit bëhet sexhde dhe quhet sexhdeja falënderuese.

Përveç këtyre rasteve nuk preferohet që njeriu të qëndrojë në sexhde pa namaz, pavarësisht pastërtisë së tij. Për këto dy raste, nuk kërkohet abdesi që të bëhen këto sexhde.

Në rast se femrës me menstruacione i vjen ndonjë lajm i gëzueshëm apo ajo vet reciton ndonjë ajet të Kuranit që e di përmendësh, i cili përmban sexhde, atëherë i lejohet asaj femre që të bëjë sexhde edhe në gjendjen në të cilën gjendet.

Allahu e di më së miri!

Hoxhë Muhamed Dermaku