Pyetja:
Selam alejkum ue rahmetullahu ue berekatuhu!
Kisha pasur dëshirë të më jepni një përgjigje më të saktë në lidhje me prishjen e abdestit te femrat. Ju lutem specifikoni se çka e prish abdestin tek femrat.
Në disa vende kam lexuar se abdestin e prishin gazrat që dalin nga vrima anale, vetëm në qoftë se dëgjon zhurmë apo në qoftë se e ndien erën, por nuk kam hasur në një përgjigje më konkrete për prishjen e abdestit te femrat. Ndoshta edhe jam e vetmja që më ndodh një gjë e tillë, por shpeshherë më duket se më del një lloj fryme apo gazi nga organi gjenital gjatë namazit. Ndodh që e përsëris abdestin edhe 2-3 e ndoshta edhe 4-5 herë vetëm gjatë një namazi, por në këtë rast më duhet të shtoj se unë kam edhe shumë problem me gazra. Bile shpeshherë e di që nuk del ndonjë gaz, por prapëseprapë më duket se dëgjoj një zhurme në afërsi të vrimës anale. Më besoni, kjo më nervozon shumë, bile edhe shejtani me intrigat e veta më pëshpërit “lëre namazin, nuk je ti për namaz, ti nuk je në gjendje të mbash një abdest”. Por unë namazin inshallah nuk do e lë kurrë. Ç’mund të thoni për këtë, a me të vërtetë është gaz apo është vetëm vesves i shejtanit? Ju lutem më jepni një përgjigje, e sidomos në këto ditë dimri, kur dihet sa ftohtë është të marrësh abdest një herë e jo disa herë brenda një namazi.
Allahu i Lartësuar ju mëshiroftë dhe ju shpërbleftë në këtë botë dhe në ahiret me xhenetin Firdeus!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Dalja e gazrave nga vrima anale e prish abdestin në të gjitha rastet (qoftë me zë apo pa të, e ndien erën apo jo) dhe për këtë ka konsensus (ixhma) te të gjithë fukahatë. Me fjalë të tjera, të dëgjuarit e nxjerrjes së gazrave apo nuhatja e erës nuk është kusht për pavlefshmërinë e abdestit, por i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, i ka theksuar këto gjëra në rast se muslimani dyshon dhe i bëhet vesves se a ka ndodhur kjo apo jo. Kjo shumë qartë vërehet nga hadithi i Muhamedit salallahu alejhi ue selem:“Nëse ndonjëri nga ju ka shqetësime nga barku dhe nuk është i sigurt nëse ka nxjerrë gazra apo jo, ai kurrsesi nuk duhet ta lërë xhaminë derisa të dëgjojë zë apo të nuhasë erën.” (Shënon Muslimi)
Kurse sa i përket daljes së ajrit nga organi seksual i femrës, fillimisht themi se kjo nuk është një gjë që ju ndodh vetëm juve, por është një veprim që u ndodh shumë femrave dhe këtë çështje e kanë trajtuar fukahatë në librat e tyre si në të kaluarën ashtu edhe në librat e fikhut bashkëkohor.
Duke mos u zgjeruar, themi se është një çështje diskutabile te fukahatë, pasi për këtë nuk kemi ndonjë citat të drejtpërdrejtë nga e cila do të mund të nxirrej dispozita.
-Mendimi i medhhebit shafi dhe hanbeli është se kjo e prish abdestin dhe ata argumentojnë se abdesti prishet me çdo gjë që del nga dy vrimat (anale dhe organi seksual) dhe ata bëjnë analogji me lirimin e gazrave nga vrima anale. Ata thonë se kjo është e njëjtë me atë.
-Hanefitë dhe malikitë thonë se kjo nuk e prish abdestin, pasi dalja e ajrit nga organi i femrës është diçka e pazakonshme, nuk është papastërti dhe nuk kemi argument (citat) që vërteton prishjen e abdestit kjo gjë. Është i njohur parimi në fikh se gjërat në esencë mbesin ashtu si janë derisa nuk sjellim argument të qartë për ndryshimin e tyre. Në këtë rast, e vërtetuar është se femra ka marrë abdest dhe për të thënë se kjo është prishur, duhet të sjellim argument të qartë. Pasi kjo nuk është bërë, atëherë dispozita mbetet ashtu si ka qenë.
Shumë nga fukahatë kanë thënë se kjo gjë e prish abdestin, duke u nisur nga fakti se kjo është më e sigurt, por pasi nuk kemi argument të prerë dhe kjo gjë i bën shumë nga femrat të cilat kanë një problem të këtillë, ashtu sikurse ju, që t’u shtohen vesveset dhe ta përsërisin abdestin brenda një kohe disa herë dhe probleme të ngjashme, më i drejtë është mendimi se ajri i cili del nga organi i femrës nuk e prish abdestin.
Këtë mendim e përzgjedhin një numër dijetarësh të nderuar dhe ky është qëndrimi i Komisionit të Përhershëm i Fetave (El-lexhned daime), në krye me shejhun e nderuar Abdulaziz ibën Baz. Për t’u qetësuar rreth këtij problemi dhe për t’i larguar të gjitha vesveset dhe dyshimet, ne po sjellim pyetjen dhe përgjigjen e Komisionit.
Fetvaja nr:7044 e Komisionit të Përhershëm për Studime dhe Fetva
Pyetja: Kur një femër hyn në namaz dhe shkon në ruku e sexhde, posaçërisht gjatë sexhdes, uljes në mes të dy sexhdeve dhe uljes në teshehud, nga organi i saj del ajër me zë, që mund ta dëgjojnë edhe ata që janë afër saj. A prishet namazi i kësaj femre? Nganjëherë ndodh që t’i dalë ajri shumë pak dhe pa zë, a prishet namazi dhe abdesti me këtë rast?
Përgjigjja: Lavdërimi i takon vetëm Allahut, salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Tij.
Ajri i cili del nga organi i femrës nuk e prish abdestin.
Me ndihmën e Allahut është suksesi dhe salavatet e selamet qofshin mbi të Dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.
Komisioni i Përhershëm për Studime dhe Fetva; Shejh Abdulaziz bin Baz, shejh Abdurrezak Afifi dhe shejh Abdullah Ku`ud.
Kjo ishte sa i përket këtij problemi. Në fund, ju këshillojmë që t’i largoni vesveset dhe të mos ju mundojë kjo gjë. Lusim Allahun e Lartësuar t’ju japë sukses në këtë botë dhe në botën tjetër!
Hoxhë Alaudin Abazi