Pyetja: E kam parë një ëndërr të frikshme dhe më ka shqetësuar pak, a mund të më tregoni për ndonjë rukjexhi me Kuran?
Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut
Në lidhje me ëndrrat, i Dërguari ﷺ thotë: “Ëndrrat janë tri lloje: Përgëzim prej Allahut, pëshpëritje e shpirtit dhe frikësim prej shejtanit. Nëse sheh ëndërr të mirë, po deshi le t’ua tregojë njerëzve, e nëse sheh ëndërr të keqe, mos t’ia tregojë askujt, por le të falet (dy rekate)”. Në një tjetër transmetim thotë:” Nëse dikush sheh ëndërr të frikshme, të pështyjë nga ana e majtë, t’i kërkojë mbrojtje Allahut nga e liga e saj, se kështu nuk do t’i ndodh gjë e ligë.”
Nga këto transmetime mësojmë si të veprojmë kur shohim ëndrra të frikshme, pra:
1. Ta kuptojmë që ajo; ose është si rezultat e të menduarit gjatë për diçka, apo lodhjes psikike me të, e pastaj na shfaqet e njëjta gjë në ëndërr, por në forma të ndryshme e shpesh edhe të pashpjegueshme, ngase truri është i lodhur. Ose është cytje nga shejtani, i cili përmes ëndrrave tenton t’i shqetësojë besimtarët, duke futur lloj-lloj dyshime e mendime jo të mira te ai.
2. Endrrat e këqija të mos ia tregojmë askujt, në mënyrë që mos të angazhohemi me to, ku vetem do të lodhemi dhe pa kurrfarë dobie. Shtoja kësaj edhe interpretimin që mund t’ia bëjë dikush atyre (e në realitet, për ëndrra të tilla nuk ka interpretim dhe as që duhet të tentohet për t’i interpretuar), e që ky interpretim pastaj të lë gjurmë jo të mira në shpirtin e atij që ka parë ëndrra të tilla.
3. Të mos i sjellim në mendje ëndrrat e tilla, por t’i harrojmë sa më parë, ngase sa më gjatë që qëndrojnë ato në mendjen tonë, aq më shumë do të shndërrohen në elemente shqetesuese.
4. Të kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të ligave të ëndrrave të tilla.
5. Nëse na del gjumi prej ëndrrave të tilla, të pështyjmë tri herë nga ana e majtë dhe të kthehemi nga ana e djathtë për ta vazhduar gjumin. Nëse nuk kalon tremba, atëherë qohemi, marrim abdes dhe i falim dy rekate.
6. Para së gjithash, e bëjmë dhikrin (lutjet) para gjumit dhe mundohemi të flejmë me avdes.
Nëse veprojmë sipas këtyre udhëzimeve, atëherë nuk mbetet shumë hapësirë që të kemi mendime jo të mira; në rend të parë për Allahun, e pastaj për njerëzit dhe gjërat që na rrethojnë.
Hoxhë Dr. Rasim Haxha