Përgjigje nga Dr. Zakir Naik

E vërtetë është se jo-myslimanëve nuk u lejohet që të hyjnë në qytetet e shenjta, respektivisht në Mekë dhe Medinë; kjo është e ndaluar juridikisht. Pikat në vijim do të shërbejnë për të sqaruar arsyet e mundshme të një ndalimi të tillë.

1. Jo të gjithë shtetasve u lejohet të hyjnë në repartin ushtarak

Unë jam shtetas nga India, e megjithatë nuk më lejohet që të hyj në disa hapësira, në të cilat hyrja është e ndaluar rreptësisht. Në secilin shtet ekzistojnë disa vende ku njerëzit e zakonshëm nuk mund të depërtojnë në asnjë mënyrë.

Vetëm qytetarët që janë të regjistruar në ushtri, apo ata që kanë lidhje me mbrojtjen e vendit, lejohet të hyjnë në hapësirat e ushtrisë. Njësoj me këtë ndodh edhe në Islam; Islami është një fe universale, për mbarë botën dhe për të gjitha qeniet njerëzore. Mirëpo, hapësirat islame në të cilat ndalohet hyrja për ndonjë njeri janë dy qytetet e shenjta, Meka dhe Medina. Këtu mund të hyjnë dhe u lejohet hyrja vetëm atyre që janë myslimanë apo të përfshirë në mbrojtjen dhe ruajtjen e Islamit. Do të ishte e palogjikshme për një qytetar të zakonshëm ta kundërshtonte apo të protestonte kundër kufizimeve dhe ndalimeve që kanë të bëjnë me hyrjen në vendet e ndaluara. E ngjashme me këtë, pra, është e papërshtatshme për jo-myslimanët, që të kundërshtojnë rregullat dhe kufizimet për ndalimin e hyrjes së jo-myslimanëve në Mekë dhe në Medinë.

2. Viza për të hyrë në Mekë dhe Medinë

Sa herë që dikush udhëton në ndonjë shtet të huaj, fillimisht duhet të aplikojë për vizë, domethënë leje për të hyrë në atë shtet. Secili shtet zotëron normat, rregulloret administrative dhe kushtet për ta pajisur dikë me vizë dhe, përderisa këto kritere nuk përmbushen, askujt nuk i lëshohet viza.

Njëri ndër shtetet që është mjaft i rreptë për sa i përket dhënies së vizave, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e veçanërisht kur bëhet fjalë për qytetarët e vendeve të treta të botës, për të cilët ka disa kushte dhe kërkesa që duhet plotësuar dhe përmbushur para se të pajisen me vizë.

Kur e vizitova Singaporin, në formularin e emigracionit të tyre, shkruante: “Trafikuesit e drogës dënohen me vdekje”. Nëse dëshiroj ta vizitoj Singaporin, atëherë unë duhet të veproj në përputhje me normat dhe rregulloret e kërkuara të atij shteti. Nuk mund të them se dënimi me vdekje është një ndëshkim i prapambetur dhe barbar. Ngase, vetëm atëherë kur të pajtohem me kërkesat dhe kushtëzimet e tyre, do të më lejohet që të hyj në atë shtet. Viza për ta zotëruar legjitimitetin e hyrjes në Mekë apo në Medinë, kushti themelor i kërkuar për çdo qenie njerëzore është dëshmia me gjuhën e tij, se “Nuk meriton të adhurohet askush tjetër përveç Allahut, dhe se Muhamedi, alejhi selam, është rob dhe i dërguar i Tij”. Ky kusht kërkohet prej secilit aplikues që dëshiron ta vizitojë Mekën apo Medinën.