Pyetje

Ne jetojmë në Suedi; dhe atje shumë burra i shkurorëzojnë gratë e tyre në gjyq nëpërmjet letrave (shkresave), gjegjësisht pa shqiptuar shprehje divorci dhe këtë e bëjnë duke synuar të marrin dy banesa dhe dy rroga të veçanta, por ata megjithëkëtë pastaj bashkëjetojnë në njërën prej shtëpive, e tjetrën e japin me qira; divorci në këtë rast, a është në fuqi?! E nëse rast se konsideroni se nuk është, atëherë a lejohet që të jetojë aty dhe të bëjë dredhi ndaj kushtetutës në këto vende, në vend që t’u shfaqë atyre moralet e larta islame dhe t’i ftojë në Islam?!


Përgjigje

Lavd-falënderimi i takon Allahut!

Së pari: Kur njeriu divorcin e shkruan qartazi në një shkresë dhe vërtetë ka për qëllim këtë divorc, atëherë ai është në fuqi, sipas pajtimit të të gjithë fukahave -Allahu i mëshiroftë!-, ngase shkresa përbën shkronja që prej tyre kuptohet divorci, e i ngjason shqiptimit, ngase shkrimi merr pozitën e fjalës së shkruesit, duke u argumentuar se Profeti, -sallallahu alejhi ue selem-, ka qenë i urdhëruar për të kumtuar mesazhin, e këtë herë e bënte me fjalë, e herë me shkresë. Mirëpo, po qe se shkruhet divorci, mirëpo nuk bëhet nijet për atë divorc, atëherë nuk vlen.

Ibën Kudame, -Allahu e mëshiroftë!-, në “El-Mugni” 10/504, ka thënë: “Në qoftë se shkresa është pa nijet, në një prej dy transmetimeve nga Ahmedi: vlen; e ky është opinioni i Shabiut, Nahaiut, Zuhriut; e dispozita është ajo që kemi përmendur. E dyta është që nuk vlen përveçse me nijet; ky qëndrim është i Ebu Hanifës, Malikut dhe citohet për Shafiun; ngase e shkruara është e mundshme të kuptohet në disa mënyra; ndoshta ai ka për qëllim të provojë stilolapsin, të zbukurojë shkrimin apo ta mërzitë familjen; pra nuk vlen nëse është pa nijet”.

Shih: “Bedaius-Sanai” (4/239), “Esh-Sherhul-Kebir” (2/384), të Durdejrit; “Mugnil-Muhtaxh” (3/284), “El-Insaf” (22/230).

E nga kjo, pra divorci nuk bie nëse bëhet në gjyq me shkresë në letër, përderisa ai nuk ka për qëllim divorcin.

Vërtetësia dhe Morali Islam

Është obligim për muslimanin ku do që të gjendet të jetë besnik dhe i vërtetë me fjalët, veprat, raportet dhe sjelljet e tij me të tjerët, edhe po qe se bëhet fjalë për me jomuslimanë, e atij s’i lejohet gënjeshtra dhe mashtrimi, ngase këto janë prej mëkateve të mëdha. I Dërguari, -sallallahu alejhi ue selem-, ka thënë: “Katër veti po u gjetën tek një individ, i tillë është hipokrit i vërtetë; e nëse ka vetëm një ves prej tyre, atëherë ka një ves të hipokrizisë derisa ta braktisë të njëjtën: kur i besohet- tradhton, kur flet- gënjen, kur premton- thyen fjalën, e kur hasmëron- shthuret” Transmetojnë Buhariu (34) dhe Muslimi (58). Gjithashtu, Profeti, -sal-lallahu alejhi ue selem-, ka thënë: “Kush mashtron, ai s’është prej nesh” Muslimi (102).

Dredhitë ndaj sistemit me pretendim të divorcit me qëllim të arritjes së përfitimeve materiale, në këtë rast të apartamentit dhe pagës, janë mashtrim, rrenë dhe falsifikim të cilat vepra nuk lejohen, edhe nëse është në shtet jobesimtar, për sa kohë që jeton në atë vend me mbrojtje zyrtare nga shteti.

Përderisa ato shtete e sigurojnë, e mbrojnë dhe i ruajnë pasuritë e tij, obligimi i tij është të jetë i besueshëm karshi atij shteti, ndaj s’i lejohet tradhtia dhe mashtrimi.

Imam Shafiu, -Allahu e mëshiroftë!-, ka thënë: “Kur një popull prej muslimanëve hyjnë në Biladul-Harb (shtetet e jobesimtarëve) me sigurim, armiku i tyre është i sigurt derisa të largohen prej tyre apo t’i kumtojnë përgjatë qëndrimit të tyre, e, padrejtësia dhe mashtrimi assesi s’u përkasin”. “El-Um” (4/263).

Obligimi i atyre që jetojnë në shtetet e jomuslimanëve është t’i përkushtohen Sheriatit të Allahut dhe të stolisen me edukatën islame dhe moralet e saj të çmuara, në mënyrë që t’i shfaqin jomuslimanëve vlerën dhe madhështinë e Islamit e të marrin ata një përshtypje të mirë, e jo të kundërshtojnë udhëzimet islame e të shkelin në atë çka ka ndaluar, e kësisoj të dëmtojnë vetën dhe Islamin.

Allahu e di më së miri!

 

/Revista Albislam Nr. 96/