Pyetje:
Kam ndërmend të filloj një biznes me ëmbëlsira dhe ushqime të vogla për evente. Cili është gjykimi i përgjithshëm i tregtisë në Islam dhe cilat janë rregullat kryesore që duhet të respektohen, çfarë lejohet dhe çfarë ndalohet në biznes, si duhet të ndërtohet marrëdhënia me klientët dhe si duhet të trajtohen fitimet?

Gjithashtu, kam dëgjuar nga disa dijetarë se organizimi i ditëlindjeve, bridal showers dhe disa festa të ngjashme nuk është i lejuar në Islam. Prandaj, nëse filloj një biznes me torta dhe ëmbëlsira, a është e lejuar për mua t’i përgatis ato për këto raste, duke qenë se një pjesë e madhe e fitimit në këtë fushë vjen nga evente të tilla?

Përgjigje:
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është rob dhe i Dërguari i Tij.

Parimi bazë në tregti është se ajo është e lejuar dhe, kur shoqërohet me një qëllim të mirë, ajo bëhet adhurim, ashtu si çdo veprim i lejuar. Sipas disa dijetarëve, tregtia është forma më e mirë e fitimit të jetesës. Sa i përket detyrimeve dhe ndalesave që lidhen me tregtinë, është e vështirë të përmblidhen të gjitha në një fetva të shkurtër, por parimet themelore të ndalesave në shitblerje, siç ka përmendur Ibn Tejmije rahimehullah, sillen rreth tre çështjeve: kamata (riba), padrejtësia (si mashtrimi, hileja dhe të ngjashmet), si dhe gharar (pasiguria në rezultatet e shitjes) dhe xhehalah (mungesa e informacionit për mallin e shitur), ku përfshihet edhe bixhozi.

Parimi bazë është se lejohet shitja e ëmbëlsirave (tortave) për të gjithë klientët, përveç rasteve kur shitësi e di se ato do të përdoren për diçka të ndaluar. Në këtë rast, shitja është e ndaluar sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, sepse përfshin ndihmë në mëkat. Allahu i Lartësuar thotë (që do të thotë): {…mos bashkëpunoni në mëkat dhe armiqësi.} [El-Maide: 2]

Sa i përket festave të ditëlindjes, dijetarët bashkëkohorë kanë mendime të ndryshme rreth gjykimit të tyre, ndërsa mendimi që ndiqet këtu është se ato janë të ndaluara. Prandaj, nuk lejohet shitja e tortave për t’u përdorur në festa ditëlindjeje.

Sa i përket dasmave dhe rasteve të ngjashme, parimi bazë është se ato janë të lejuara, dhe për rrjedhojë lejohet shitja e tortave për dasma dhe festa të tjera të lejuara, përveç nëse festa përmban gjëra të ndaluara, si konsumimi i alkoolit ose vallëzimi i përzier mes burrave dhe grave. Në këtë rast, nuk lejohet shitja e tortave për t’u përdorur në të tilla festa.

Allahu e di më së miri.

Burimi: islamweb.net / Solli në gjuhën shqipe: pergjigje.net