Pyetje: A është aplikimi për një Haxh ose Umre falas, apo aplikimi për bursë studimi, i ngjashëm me lypjen?
Përgjigje:
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve.
Kjo çështje ka disa hollësi.
Nëse dikush u kërkon njerëzve para për shpenzimet e Haxhit, ose u kërkon ndihmë për të paguar studimet e tij, atëherë kjo hyn te lypja e qortuar.
Shejh Ibn Bazi rahimehullah u pyet: “Një person dëshiron të bëjë Haxh, por i ka siguruar shpenzimet e Haxhit duke kërkuar nga njerëzit?”
Ai u përgjigj: “Përgatitja për Haxh kur njeriu nuk i posedon mjetet për shpenzimet e tij nuk lejohet. Nuk lejohet, përveç nëse dikush ia dhuron shpenzimet, si p.sh. t’i thotë: ‘Bëje Haxhin për mua’, ose: ‘Unë do t’i jap shpenzimet e Haxhit.’ Nuk ka problem në këtë. Por nuk e kryen Haxhin duke lypur nga njerëzit për shpenzimet e tij…”
Mirëpo, nëse ka dikush (apo ndonjë institucion ose organizatë) që ofron Haxh falas dhe një person aplikon që të jetë prej atyre që e përfitojnë, atëherë kjo nuk konsiderohet lypje e qortuar, sepse dhuruesi vetë e ka ofruar këtë dhe i ka ftuar njerëzit ta pranojnë dhuratën e tij.
Për këtë arsye Shejh Ibn Bazi rahimehullah tha në fetvanë e mëparshme: “Përveç nëse dikush ia dhuron shpenzimet… Nuk ka problem në këtë.”
Po ashtu, nëse shteti ofron bursa studimi dhe një person aplikon që të jetë prej përfituesve, edhe kjo nuk konsiderohet lypje e qortuar.
Pra, gjykimi ndryshon sipas rrethanave të ndryshme.
Allahu e di më së miri.
Burimi: islamweb.net / Solli në gjuhën shqipe pergjigje.net




