♦️Bagëtitë që nuk vlejnë për kurban.

Profeti-alejhi selam- ka thënë:

Katër lloje bagëtish nuk lejohen për kurban:
– Ajo që është e verbër në njërin sy dhe verbëria e saj është e qartë.
– Ajo që është e sëmurë dhe sëmundja e saj është e dukshme.
– Ajo që çalon dhe çalimi i saj është i qartë.
– Dhe ajo që është e dobët (e këputur), që nuk ka palcë në eshtra.

E transmetojnë Imam Ahmedi, Nesaiu dhe e ka saktësuar Shejh Albani

♦️Kuptimi i hadithit

Ky hadith vendos një kusht thelbësor për vlefshmërinë e kurbanit: kafsha e kurbanit duhet të jetë pa të meta të dukshme, të cilat e ulin vlerën e saj ose e bëjnë të papërshtatshme për kurban.

▪️Ajo që është e verbër në njërin sy dhe verbëria e saj është e qartë – pra kafsha që i mungon syri, e ka syrin të dëmtuar rëndë ose të nxjerrë jashtë ose të futur brenda ose të mbuluar në mënyrë të qartë e të dukshme. Nëse defekti është i lehtë dhe nuk dallohet qartë, atëherë lejohet për kurban.

▪️Ajo që është e sëmurë dhe sëmundja e saj është e dukshme – si kafsha me sëmundje të rënda ose të dukshme, që ndikojnë në mishin apo gjendjen e saj, si zgjebja e rëndë dhe të ngjashme me të.

▪️Ajo që çalon dhe çalimi i saj është i qartë – nëse kafsha çalon rëndë dhe nuk ecën normalisht me kopenë, nuk vlejnë për kurban. Ndërsa nëse çalimi është i lehtë dhe ajo ecën, kullot, ha dhe pi normalisht, atëherë lejohet.

▪️Dhe ajo që është e dobët (e këputur), që nuk ka palcë në eshtra – pra kafsha e rraskapitur dhe tepër e ligështuar, deri në atë masë sa i është shterur palca e eshtrave nga dobësia. Kjo është shenjë e dobësisë së skajshme dhe një kafshë e tillë nuk vlen për kurban.

/ Hoxhë Dr. Abdullah Nabolli/