Pyetja Jam i martuar prej 30 vitesh. Prej shumë vitesh tashmë, marrëdhëniet intime mes nesh janë bërë shumë të rralla. Ato ndodhin vetëm kur gruaja ime dëshiron. Zakonisht ajo thotë se është e lodhur ose e përgjumur dhe kështu refuzon afrimitetin bashkëshortor. Kam provuar të bisedoj me të në raste të ndryshme, por pa rezultat. Ndonjëherë përfundoj duke masturbuar. Në disa raste ajo më ka lejuar që ta bëj këtë për të çliruar tensionin tim, ndërsa vetë nuk merr pjesë fare. Ju lutem më udhëzoni.

Përgjigjja Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve..

Nëse gruaja juaj ju stimulon me dorën e saj ose me ndonjë pjesë tjetër të trupit të saj, kjo është e lejuar. Mirëpo, nëse njeriu masturbon me dorën e tij ose me mënyra të ngjashme, kjo nuk lejohet, dhe leja e bashkëshortes nuk e bën të lejueshme një gjë të tillë.

Allahu i Lartësuar thotë: “…dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime), me përjashtim ndaj grave të veta (me kurorë) dhe ndaj atyre (robëreshave) që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat nuk janë të qortuar, e kush kërkon përtej tyre (dëfrim nga të ndaluarat), të tillët janë ata që kanë shkelë normat e caktuara… (El-Mu’minun, 5-7)

Gruaja ka detyrimin t’i përgjigjet thirrjes së burrit për marrëdhënie bashkëshortore dhe nuk i lejohet ta refuzojë pa një arsye të vlefshme(fetare ose shëndetësore).

Dijetari Mer‘i el-Kermi ka thënë në veprën “Delil et-Talib”: “Burri ka të drejtë të përfitojë nga marrëdhënia bashkëshortore me gruan e tij në çdo kohë dhe në çdo mënyrë të lejuar, për sa kohë që kjo nuk i shkakton dëm asaj dhe nuk e pengon në përmbushjen e detyrimeve fetare.”

Prandaj, ju këshillojmë që ta diskutoni këtë çështje me bashkëshorten tuaj me qetësi dhe urtësi, në mënyrë që të kuptoni arsyet e refuzimit të saj dhe të përpiqeni së bashku të gjeni zgjidhje për problemet që mund të ekzistojnë. Nëse bashkëshortja juaj nuk është në gjendje t’i përmbushë nevojat tuaja bashkëshortore, atëherë ju lejohet të martoheni me një grua tjetër, nëse keni mundësi dhe jeni në gjendje t’i përmbushni kushtet e kësaj martese.

Derisa të gjendet një zgjidhje e përshtatshme, përpiquni të ruani dëlirësinë duke:

  • Agjëruar sa më shpesh;

  • Ruajtur shikimin dhe dëgjimin nga gjërat që zgjojnë epshin;

  • Shmangur situatat e tundimit;

  • Angazhuar kohën me punë dhe aktivitete të dobishme;

  • Kërkuar ndihmën dhe mbrojtjen e Allahut;

  • Shtuar dhikrin dhe lutjet ndaj Tij.

Allahu e di më së miri.

Burimi: islamweb.net / Solli në gjuhen shqipe pergjigje.net