Pyetja: Nëse e zëmë namazin me xhemat me vonesë në namazet që falen me zë, dhe imami është në gjysmë të Surës El-Fatiha – duke e kënduar atë –, a duhet ta lexojmë Fatihanë pas imamit, apo duhet të presim derisa ai ta përfundojë dhe pastaj ta lexojmë ne? A duhet ta lexojmë të gjithë Fatihanë, apo nuk duhet ta lexojmë fare? Këto janë dilema që mund t’i lindin çdo namazliu.
Së pari, Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) thotë:
“Nëse ka filluar namazi në xhami, mos nxitoni duke vrapuar, por ecni me qetësi. Atë pjesë të namazit që e arrini, faleni, ndërsa pjesën që ju ka kaluar, plotësojeni.”
Ky është rregulli i përgjithshëm: atë që e zëmë nga namazi e falim me imamin, ndërsa pjesën që na ka kaluar e plotësojmë pasi imami të japë selam.
Si veprohet nëse e arrijmë imamin në gjysmë të Fatihasë?
- Në namazet që falen me zë: Nëse imami është duke lexuar me zë, ne nuk lexojmë pas tij, sepse kur imami lexon me zë, xhemati duhet të dëgjojë. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
“Kur të lexohet Kurani, dëgjoni dhe heshtni…” Dijetarët kanë sqaruar se ky udhëzim e ka për qëllim kryesisht faljen e namazit.
- Në namazet që falen pa zë: Në namazet ku imami lexon me vete, ne e lexojmë Fatihanë sa të mundemi pas tij.
Çfarë bëjmë nëse e kemi lexuar vetëm gjysmën e Fatihasë dhe imami shkon në ruku?
Nëse kemi lexuar vetëm gjysmën e Fatihasë dhe imami bie në ruku, ne e ndërpresim leximin dhe e ndjekim imamin në ruku. Arsyeja është se detyra më e fortë e namazliut është ndjekja e imamit. Kjo i ngjan edhe rastit të Tashahudit (Etehijatit): nëse nuk arrijmë ta përfundojmë Tashahudin dhe imami ngrihet, ne ngrihemi bashkë me të. Imami e bart mbi vete atë pjesë të paplotësuar nga xhemati.
Ky është rregulli sa i përket leximit pas imamit. Për shembull, nëse e arrijmë imamin drejtpërdrejt në ruku dhe arrijmë të thuajmë me të “Subhane Rabbijel-‘Adhim”, a e kemi arritur atë rekat? Po, e kemi arritur. A e kemi lexuar Fatihanë? Jo. Madje, nuk kemi dëgjuar asnjë ajet prej saj. Megjithatë, përderisa rekati arrihet duke e zënë rukunë, detyrimi i leximit të Fatihasë për atë rekat falet(bie obligimi) për personin që ka arritur me vonesë.
Nëse nuk do ta kishim këtë argument nga Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), do të thoshim se rekati nuk është arritur pa lexuar Fatihanë. Por, Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë qartë:
“Kush arrin rukunë, e ka arritur rekatin”
Hoxhë Dr. Rasim Haxha




