Pyetja: Një person që falte namaz, lexonte Kuran dhe agjëronte pësoi sulm në tru, pas të cilit iu dobësua njëra anë e trupit. Fillimisht e përballoi gjendjen me durim dhe pa frikë, por pas afro dy vjetësh nisi të frikësohej shumë nga vdekja dhe të shqetësohej edhe për dhimbjet më të vogla. A është kjo gjendje normale? A tregon dobësi të besimit dhe si mund ta ndihmojmë?
Përgjigjja: Frika e fortë mund të lidhet me pasojat fizike dhe psikologjike të sulmit në tru. Ajo nuk dëshmon vetvetiu dobësi të besimit. Nuk duhet ta gjykojmë besimin e tij nga frika që ndien, por ta kuptojmë dhe ta mbështesim pa e qortuar.
Kur ankohet për dhimbje ose shqetësim, ndihmojeni të dallojë atë që ndien nga përfundimi frikësues që i vjen në mendje: dhimbja nuk do të thotë patjetër se po përsëritet sulmi apo se po vdes. Dëgjojeni me qetësi dhe përpiquni të kuptoni se çfarë e frikëson më shumë. Nxitni ta bëjë vetë atë që mundet dhe ta mbajë lidhjen me familjen, interesat dhe aktivitetet që i përshtaten gjendjes së tij. Mos e lini që gjithë bisedat dhe dita e tij të përqendrohen te sëmundja.
Përkujtojani Allahun dhe mbështetjen tek Ai, por mos ia paraqitni frikën si shenjë të imanit të dobët. Besimi nuk do të thotë se njeriu nuk ndien frikë; ai merr masat e duhura dhe ia lë Allahut atë që nuk e ka në dorë. Allahu i Lartësuar thotë:
“Thuaj: ‘Nuk do të na godasë asgjë, përveç asaj që Allahu ka caktuar për ne. Ai është Mbrojtësi ynë, dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!’”
(Et-Tevbe: 51)
Nëse frika vazhdon ose ia pengon jetën e përditshme, kërkoni vlerësim dhe ndihmë profesionale. Për shkak të sulmit të mëparshëm në tru, simptomat e reja ose të papritura -si dobësia apo mpirja, vështirësia në të folur ose në të parë, apo varja e njërës anë të fytyrës- duhen vlerësuar urgjentisht nga mjeku.
Allahu i dhëntë shërim, qetësi dhe durim.
(Burimi: IslamQA, pyetja nr. 609236)
Përmblodhi dhe përktheu: Hoxhë Sabahudin Selimi




