Pyetja:
Ka disa vite që ndjehem gjatë tërë kohës e mërzitur. Qaj tërë kohën dhe nuk jam asnjëherë e lumtur. Jam martuar gati qe një vit, nuk ndihem i/e lumtur. Po të mos e kishte ndaluar Allahu vetëvrasjen do e kisha vrarë veten.
***
Përgjigjja:
Sistemi i imunitetit në organizëm është gjëja më kryesore për shëndetin e njeriut. Kur imuniteti është i fortë, organizmi i përballon shumë gripave, sëmundjeve etj. Nëse imuniteti është i dobët, atëherë çdo sëmundje, qoftë edhe e thjeshtë, mund ta shkatërrojë shëndetin e njeriut. Kështu vlerësohen edhe gjërat shpirtërore. Dashuria e do shpirtin e fuqishëm me besim të plotë në atë që e dashuron. Mirëpo gjëja që më së shumti e forcon sistemin e imunitetit të shëndetit shpirtëror është imani, besimi i thellë në Allah. Ndarja nga burri nuk do të thotë se medoemos është dalje nga problemet shpirtërore, vuajtjet dhe preokupimet tuaja. Përkundrazi, divorci mund t’ua shtojë edhe më tepër ato preokupime dhe mund të bindeni se faji nuk qenka martesa apo jeta bashkëshortore, por faji qenka te dobësimi i sistemit të imunitetit shpirtëror, i cili vetëm me besim të thellë në Allahun dhe me kapjen seriozisht për fenë e Allahut mund të forcohet dhe më pas mund t’i përballoni çdo sprove dhe jeta e zymtë martesore do të shndërrohej në jetë të rehatshme dhe tek ai burrë do ta gjenit qetësinë shpirtërore.
Në rastin tuaj, më alarmuese qenka se keni humbur vullnetin dhe durimin të bëni dua e lutje sesa humbja e dashurisë së ndërsjellë bashkëshortore. Si rrjedhojë e këtij depresioni, ju mendoni edhe për ta përfunduar jetën me vetëvrasje. Por, Elhamdulilah që imani i juaj vetëm është dobësuar dhe është zbehur e nuk ka humbur tërësisht, pasi e keni të qartë se vdekja nuk është gjë tjetër vetëm se transferim nga kjo jetë në tjetrën, andaj edhe vetëvrasja është gjë e ndaluar dhe aspak nuk ta rregullon jetën. Andaj kërkohet që të punoni drejt forcimit të besimit tuaj në Allahun duke i përmbushur detyrat fetare, e në rend të parë namazin. Posa ta mundni shejtanin në gjërat e mëdha si çështja e besimit, do ta kuptoni se burri nuk paska ndonjë të metë dhe se jeta bashkëshortore është e mundshme të vazhdohet pa asnjë problem.
Mos e humb shpresën në Allahun, sepse Ai të pranon në çdo kohë dhe sprovat tejkaloji duke kërkuar ndihmën tek Allahu! Allahu na porosit duke thënë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (Bekare: 153)
Ndjenja e humbur në Allahun është shumë e keqe dhe nuk është edukative me Allahun. Duaja mund të pengohet nga disa shkaqe, nga të cilat është edhe lodhja në lutje dhe humbja e shpresës.
Ibën Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë se dikush e kishte pyetur të Dërguarin e Allahut, ﷺ se cilat janë mëkatet më të mëdha dhe ai ishte përgjigjur: “T’i përshkruash ortak Allahut, ta humbësh shpresën nga mëshira e Allahut dhe të jetosh i sigurt nga dënimi i Allahut.” Në një hadith kudsij, Allahu thotë: “Unë sillem me robin Tim ashtu siç ai Mua më paramendon. Nëse ai mban mendim të mirë për Mua, e ka për vete, e nëse ka mendim të keq, e ka kundër vetes.” [1] Në një hadith tjetër kudsij, Allahu thotë: “Unë sillem me robin Tim ashtu siç ai Mua më paramendon, dhe Unë jam pranë Tij kur ai më lutet.” [2]
Allahu i Madhërishëm tregon në Kuran ngjarjen e Jakubit, kur i humbën djemtë e tij, ku ende mbante shpresë në Allahun se do t’i gjente dhe vërtet doli ashtu: “O bijtë e mi, shkoni e kërkoni lajme për Jusufin dhe vëllanë e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve.” (Jusuf: 87)
Allahu po ashtu thotë:
“Kurse grupi tjetër (hipokritët) kujdesej vetëm për veten, duke menduar për Allahun të pavërtetën, ashtu si mendonin paganët. Ata thoshin: “Ku është fitorja që na ishte premtuar?” Thuaju (o Muhamed!): “Të gjitha janë në dorë të Allahut!” (Ali Imran: 154)
I Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Robit vazhdimisht i pranohen lutjet përderisa nuk nxiton, nëse nuk lutet për ndonjë mëkat, ose për ndërprerje të lidhjeve farefisnore.” Dikush i tha: “E si është nxitimi, o i Dërguar i Allahut? Tha: “Nxitim është të thotë robi: “jam lutur e jam lutur, por kot nuk kam vërejtur se m’u ka pranuar lutja” dhe lodhet pastaj dhe e braktisë lutjen.” [3]
Motër, mos paragjykoni se bashkëshorti i juaj do që t’ju shkurorëzojë, por i dhimbseni! Mos u lësho në këso mendime, por puno që ta nxitësh dashurinë e burrit tënd dhe të jesh sa më e ndërgjegjshme në përfilljen e detyrave tuaja!
Ndoshta caktimi i Allahut që të furnizoheni me fëmijë e të mos nxitoni në shkurorëzim.
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku
————————————–
[1] Ahmedi
[2] Muslimi
[3] Muslimi