Pyetja:

Thuhet se mbulesa lindi me Islamin (Islamin e Ademit a.s.), por ne e dimë se në atë kohë nuk kishte rroba që njerëzit të mbuloheshin. Atëherë me çfarë mbuloheshin vajzat dhe gratë në atë kohë si zëvendësim i rrobave?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Kur thuhet mbulesa lindi me Islamin ose me njeriun e parë është për qëllim mbulesa në raport me turpin. Është më se e ditur se Ademi dhe Havaja ishin njerëzit e parë në rruzullin tokësor dhe ata nuk kishin rroba, por Allahu kishte bërë që pjesët e turpshme të mos u zbuloheshin derisa hëngrën nga pema e ndaluar, e cila shkaktoi zbulimin dhe ata, siç e përshkruan Kurani, menjëherë tentuan të mbulojnë pjesët e trupit së paku me ca gjethe që kishin përreth.

Ja se si e përshkruan Kur’ani këtë ngjarje: “Por, atë e ngacmoi djalli duke i thënë: “O Adem, a do të të tregoj për pemën e pavdekshmërisë dhe të sundimit të pazhdukshëm?” Ata të dy hëngrën nga ajo (pemë) dhe që të dy u zhveshën, e ia nisën ta mbulojnë veten e tyre me gjethe që i mblidhnin nëpër xhenet, dhe kështu Ademi theu urdhrin e Zotit të vet dhe gaboi.” (Ta Ha: 120)

Veshja e rrobave është prej mirësisë së Allahut ndaj nesh. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon vendturpësinë dhe petk zbukurues. Por petku i devotshmërisë, ai është më i miri. Këto janë nga argumentet e Allahut, ashtu që ata të përkujtojnë.” (A’raf: 26)

Ndërsa sa i përket mbulesës islame në kuptimin e legjislacionit islam, ajo ndryshon nga veshja që ka pasur nëna e njerëzimit, Havaja, ngaqë, siç e theksuat, në atë kohë nuk ka pasur rroba sikurse ato të sotmet dhe duhet ditur se mbulesa fetare për Havanë nuk ka qenë e domosdoshme meqë ajo ishte nëna e njerëzimit dhe nuk kishte në rruzullin tokësor njerëz të huaj përveç bijve dhe bijave të saj. Në këtë situatë, edhe me legjislacionin islam nuk kërkohet mbulesa e plotë islame, por vetëm ajo veshje që është e zakontë në mesin e familjarëve të ngushtë. E sa i përket se me çfarë janë mbuluar, sigurisht se kjo është zhvilluar me kalimin e kohës, por nga ajo që është e njohur më parë është se kanë përdorur lëkurët e kafshëve dhe elemente të tjera primitive.

Me kohë, me shtimin e njerëzve, është paraqitur nevoja që vajzat të mbulohen nga djemtë e huaj për ta ruajtur nderin e tyre.

Mbulesa është e njohur edhe tek popujt e lashtë, sidomos ata popuj që kanë ngritur civilizime, si babilonasit, faraonët, bizantinët e sidomos familjet mbretërore, edhe pse jo në mënyrën si e kërkon Islami, por një veshje më solemne sesa veshja e rëndomtë. Pra, zhveshja asnjëherë nuk ka qenë simbol i civilizimit dhe kulturës ndër popuj.

Kjo është kurorëzuar me mbulesën islame në legjislacionin që i është shpallur të Dërguarit të Allahut ﷺ ku femra duhet të ketë të mbuluar kokën dhe tërë trupin.

Këtë e dëshmon fjala e Allahut, ku thotë: “O ti Pejgamber, thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.” (Ahzab: 59)

Hoxhë: Llukman Hoxha