Pyetja:
Unë e dua dikë, edhe ai më do, edhe familja janë për po, përveç
axhës. Si mendoni ju, a është keq kjo apo?
***
Përgjegjja:
Nëse ju dhe familja e juaj respektivisht prindi i juaj jeni për t’u fejuar dhe martuar për atë që kërkon dorën tuaj, atëherë ajo martesë do të ishte e plotfuqishme dhe legjitime, edhe nëse mixha i juaj e kundërshton një vendim të tillë.
Mirëpo në rastin tuaj, është mirë të mendoni parasysh motivin e mixhës suaj se përse ai refuzon. Ka ndonjë xhelozi, apo ka ndonjë pengesë që vetëm ai e di e që është në favorin tënd dhe të familjes që mos të martoheni me të, respektivisht të mos miqësoheni me ta.
Nëse motivi i tij është i arsyeshëm, ndonëse nuk ka ndikim në legjitimitetin e martesës suaj, atëherë mos e refuzoni me çdo kusht këmbëngulësinë e tij, duke u thirrur ju në të drejtën tuaj.
E nëse refuzimi i tij është i paarsyeshëm, por thjesht do ta shfrytëzon pozitën e tij prej mixhe dhe mund t’ua humbë një rast të mirë për martesë, atëherë atë duhet këshilluar me mënyrën më të mirë dhe më të pranueshme, në mënyrë që edhe të mos humbet rasti për martesë, por edhe mos të prishen marrëdhëniet vëllazërore dhe fqinjësore me mixhën tuaj.
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku