Pyetja:

Nëse njeriu kryen marrëdhënie intime me një vajzë me të cilën nuk është i martuar, por ai mendon që një ditë të martohet me të, a lejohet marrëdhënia në këtë rast? Nëse nuk lejohet, çfarë dënimi do të kenë këta të dy?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Allahu i Lartësuar e bëri ligj që krijesat në përgjithësi të jenë në çifte. Ai në Kuranin Fisnik thotë: “Dhe Ne krijuam prej çdo sendi dy lloje (mashkull, femër) që ju të përkujtoni (madhërinë e Allahut).” (Dharijat, 49)
Dhe në ajetin tjetër thotë: “Qoftë i pastër nga të metat Ai (Allahu) që krijoi të gjitha çiftet (lloje); nga ajo që mbin nga toka, nga vetë ata dhe nga çka ata nuk dinë.” (Jasin, 36)
Prandaj ndarja e krijesave në meshkuj dhe femra dhe nevoja e bashkimit dhe e çiftëzimit është e njëjtë te të gjitha krijesat, qofshin ata njerëz, kafshë madje edhe bimë. Por te njeriu ky proces dallon nga forma dhe mënyra se si bëhet te krijesat e tjera. Me fjalë të tjera, derisa bashkimi dhe çiftëzimi i krijesave të tjera bëhet pa ndonjë kriter dhe rregull që ata duhet t’i nënshtrohen, njeriu këtë e bën duke pasur për bazë disa ligje dhe norma. Kjo është kështu për shkak se te njeriu me bashkimin në mes mashkullit dhe femrës krahas instinktit seksual (shuarjes së epshit), synohen edhe objektiva të tjera, të cilat nuk janë evidente te shtazët dhe me këtë ai shpalos njerëzoren e tij. Këto qëllime gjithashtu nuk janë dytësore, por janë thelbësore për njeriun. Njeriu me bashkimin në mes mashkullit dhe femrës synon ruajtjen e llojit njerëzor, lënien e pasardhësve, krijimin e familjes, që është boshti i shoqërisë, ruajtjen e nderit, të fisnikërisë, të krenarisë, gjetjen e së dashurës ose të dashurit me të cilën ose të cilin do të ndajë jetën. Pastaj ky bashkim te njeriu nënkupton përgjegjësi ndaj partnerit me të cilin bashkohet, etj. Duke pasur parasysh këto që përmendëm, kuptojmë shumë qartë se përse Islami e ndalon lidhjen dhe kontaktin me ndonjë femër jashtë martese. Martesa është një akt me të cilin njeriu bashkohet me partneren e jetës duke i pasur parasysh të gjitha objektivat dhe synimet dhe me këtë ai nderon veten duke u ngritur në njerëzoren e tij. Nëse bashkimi bëhet pa martesë dhe krijohen kontakte me partnerë të huaj duke kryer edhe marrëdhënie intime, atëherë njeriu i këtillë ka vënë si objektiv vetëm instinktin seksual dhe shfryrjen e epshit dhe me këtë është larguar nga njerëzorja dhe përgjegjësia. Në Islam lidhja ndërmjet mashkullit dhe femrës është lidhje fisnike, e ndërtuar mbi dashuri dhe pëlqim nga të dy anët, e deklaruar nga të dy në aktin e martesës me praninë e dëshmitarëve. Akti i martesës nënkupton që secili nga të dy është bërë i tjetrit dhe pajtohen se do ta vazhdojnë jetën së bashku. Kjo nënkupton që secili merr mbi vete përgjegjësi dhe obligime me të cilat do të ndërtojë një familje të mirëfilltë islame. Prandaj, marrëdhëniet intime paramartesore janë të ndaluara rreptësisht dhe në këtë nuk ka dallim a mendoni të martoheni më vonë apo jo. Madje kontakti seksual është i ndaluar edhe nëse në mes mashkullit dhe femrës lidhet vetëm fejesa. Kjo vepër është shumë e rëndë dhe në Islam konsiderohet amoralitet dhe nga mëkatet e mëdha (elkebair). Allahu i Lartësuar thotë: “Edhe ata që pos Allahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri (zina), ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi Ditën e Kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai fal shumë.” (Furkan, 6870)
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.” (Isra, 32)
Për dëmin dhe të keqen e kësaj vepre të shëmtuar kemi me dhjetëra citate nga Kurani dhe hadithe të Muhamedit salallahu alejhi ue selem, por mendojmë se mjafton kjo që u tha dhe nuk do të zgjerohemi më shumë. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi