Pyetja:

Prindërit e mi kanë jetuar në një fshat. Babai im i ka 4 vëllezër. Aty kanë pasur konflikt brenda familjes. Babai im ka qenë më i urti, ata i kanë bërë zullum dhe ai është detyruar ta shet dukatin e martesës dhe të ik jashtë vendit. Me ndihmat që i janë dhënë për fëmijë në Gjermani ai iu ka ndihmuar vëllezërve të vet edhe pse ata i kanë bërë zullum më parë. Më vonë ata janë ndarë dhe e kanë marrë për vete krejt tokën. Prej asaj kohe kur janë ndarë ne i kemi tubuar paratë për ta blerë një banesë në Kosovë. Tani që jemi kthyer ata më nuk po na japin hisen sepse e kemi blerë banesën. A është mëkat i atij që ua ndan trashëgiminë bijëve të vet e babit tim jo? Edhe babai im i ka 6 fëmijë e vetëm një rrogë të vogël.

***

Përgjigjja:

Nëse gjendja është ashtu siç e përshkruani, padyshim se babai i juaj paska pësuar padrejtësi nga vëllezërit e tij. Lus Allahun që ata të pendohen për veprimet e tyre para se ata të vdesin dhe hallallosen me babin tënd, e nëse këtë nuk e bëjnë, atëherë shpresoj që yt atë t’i falë ata, përndryshe dënimi i Allahut është i ashpër për ata që përvetësojnë pasurinë e dikujt padrejtësisht.

Padyshim se më i miri është ai që falë edhe kur i bëhet padrejtë dhe do të shpërblehet dyfish; për padrejtësinë ndaj tij dhe për faljen dhe tolerancën që e bën për hir të Allahut. Si duket babi yt këtë e ka kuptuar mirë, kur i ka ndihmuar materialisht vëllezërit e tij edhe pse ata nuk janë sjellë mirë me të. Allahu e shpërbleftë me të mira për atë që e ka vepruar!

Nëse gjyshi i juaj ka ndërruar jetë dhe ka trashëguar pasuri, pavarësisht vendit se ku ka jetuar babai i juaj, edhe ai ka pasur të drejtë apo hise në mallin e trashëguar. Të drejtën e tij të trashëgimisë, nëse vëllezërit e tij nuk ia japin, ai mund ta nxjerrë atë edhe nëpërmjet gjyqit apo formave të tjera të ndarjes së drejtësisë.

E sa i përket banesës që ju e keni blerë, ajo nuk ka të drejtë që të bëhet pjesë e pasurisë së përbashkët dhe të konsiderohet si hise e trashëguar. Ajo banesë i takon vetëm tët baba dhe nuk mund të konsiderohet ajo si pasuri e përbashkët e trashëguar nga gjyshi, pasi atë me mundin e vet e ka blerë biri i tij.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku