Pyetja:

Thotë Allahu në Kuran në suren En-Nisa, ajeti 140: “Juve u është shpallur në librin (Kuranin), që, kur të dëgjoni se po mohohet Kurani i Allahut dhe po bëhet tallje me të, mos rrini me ata derisa të mos hyjnë në bisedë tjetër. Përndryshe, ju do të jeni si ata. Allahu do t’i tubojë tradhtarët dhe jobesimtarët që të gjithë në xhehenem.”
Ne studentët që udhëtojmë me autobus shpesh po sprovohemi me disa video-incizime humoristike, ku në to në njëfarë mënyre ose tjetrën përqeshen besimtarët ose feja e Allahut. Neve që ndodhemi në autobus, edhe pse ndiejmë keqardhje, na shkojnë sytë që t’i shikojmë, por nuk kemi mundësi të largohemi nga autobusi. Unë zakonisht mundohem të mos udhëtoj me autobusë që shfaqin këso lloj humori, por pothuaj nuk ka mbetur autobus që nuk shfaq gjëra të tilla. Allahu na ruajtë! Si të veprojmë dhe a ekziston rreziku që të hyjmë në këtë ajet kuranor?

***

Përgjigja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Për sa i përket udhëtimit me autobusët që shfaqin video-incizime të cilat përqeshin Islamin dhe besimtarët ose lëshojnë muzikë dhe gjëra të tilla, themi se nëse është e mundur të gjejmë mjete të tjera udhëtimi dhe të mos hipim, por t’u shmangemi atyre, atëherë veprojmë kështu duke shpresuar shpërblimin tek Allahu. Mirëpo nëse kjo na shkakton probleme, vonesë apo ndonjë pengesë tjetër, atëherë udhëtojmë me këta autobusë dhe inshallah nuk kemi mëkat, pasi në rrethanat dhe në kohën në të cilën jetojmë pothuajse është e pamundur t`u ikim të gjitha gjërave të këtilla. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi