Pyetja:

Selam alejkum! Quhem Enes dhe dua t’ju pyes. Unë e dua Allahun dhe parësorja tek unë janë kryerja e urdhëresave të Allahut dhe të Pejgamberit alejhi selam, por kam kundërshtime nga familja ime, sidomos nga vëllai me të cilin jetoj, i cili bën gjëra që unë mos ta praktikoj Islamin. A duhet që unë për hir të Allahut të largohem nga shtëpia e tij e të kërkoj riskun e Allahut diku tjetër?
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëlla i dashur, më lejoni që së pari t’ju uroj mirëseardhjen në faqen tonë dhe t’ju them se jemi të nderuar, pasi na keni zgjedhur të këshilloheni se si të veproni rreth problemit që ju preokupon.
Po ta pyeste secili veten e tij me sinqeritet: Çfarë do të thotë familja për mua, duke i llogaritur të gjithë anëtarët e saj? Pastaj, nëse kërkohet nga ne që të radhisim gjërat më të rëndësishme që kemi në këtë jetë, ku do të ishte vendi i vëllait?
Duke pasur parasysh përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve, vëlla i dashur, themi se largimi juaj nga shtëpia është zgjidhja që duhet të bëni vetëm pasi të keni provuar të gjitha format dhe zgjidhjet e tjera në dispozicion.
Unë besoj se ju, por edhe çdokush që e ka vëllanë mospraktikues të fesë ose të devijuar, nuk jeni të kënaqur që ta lini atë në atë mënyrë jetese dhe që ai ta përfundojë jetën e kësaj bote në atë gjendje. Por, si është e mundur ta ndryshojmë këtë gjendje, kur opsioni ynë është që të largohemi nga ai dhe të mos mbajmë lidhje me të?
Edhe Muhamedi salallahu alejhi ue selem tregon se muslimani më i mirë është ai që përzihet me njerëz dhe duron të këqijat e njerëzve. Ai thotë: “Besimtari i cili përzihet me njerëz dhe bën durim nga të këqijat e njerëzve është më i mirë se besimtari i cili nuk përzihet dhe nuk i duron të këqijat e të tjerëve.” (Hadithin e cilëson të saktë Albani.)
Në fund, themi se ju duhet të mundoheni të jetoni me familjen dhe të përdorni metoda dhe forma që të ndikoni tek ata; kjo është më mirë edhe për ju, edhe për familjen. Edhe nëse kjo ju pengon që të ndiheni i qetë dhe i përkushtuar ndaj Allahut, luteni Allahun e Lartësuar që t’jua ndryshojë këtë gjendje. Pastaj mundohuni të bëheni i sjellshëm me ta, t’i respektoni dhe kështu të arrini në zemrat e tyre. Unë nuk besoj se ju do të dëshironit shpërblim më të madh për këtë botë dhe botën tjetër sesa që Allahu i Lartësuar ta udhëzonte familjen tuaj nëpërmjet jush.

Me respekt,
Vëllai juaj në Islam
Alaudin Abazi